Nafta kontrabandë në Durrës/ Kapiteni dhe 3 marinarët e huaj lënë qelinë dhe “burgosen” në anijen e sekuestruar

20/03/2023 14:21

Gjykata e Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj kapitenit dhe 3 anëtarëve të tjerë të ekuipazhit të anijes “Queen Majeda”.

Në shtator të vitit të kaluar, gjykata pati vendosur masën “arrest në burg” për 4 nga 10 pjesëtarët e ekuipazhit, të arrestuar nga policia, por 6 muaj më vonë i njëjti gjyqtar me kërkesë të prokurorisë vendosi ndryshimin e masës së sigurimit nga “arrest në burg” në “detyrim të qëndrimit në një vend të caktuar” dhe konkretisht në anije, e cila ndodhet e ankoruar në kalatën e mjeteve të sekuestruara për kontrabandë mallrash në portin e Durrësit.

Në kuadër të operacionit të koduar “Ring” u arrestuan kapiteni i anijes Zuhair Alkëafi 54 vjeç, Muavid Ali Altabir 25 vjeç, Amad Abushala 43 vjeç, të tre nga Libia, dhe Badr Teezini, 25 vjeç nga Siria.

Prokuroria kërkoi të zëvendësohet masa e sigurimit “Arrest ne burg” me atë të “detyrimit të qëndrimit në një vend të caktuar”, konkretisht në territorin ku është ankoruar anija Queen Majeda, në portin e Durrësit.

Anija çisternë që vinte nga porti i Bengazit u kap nga antikontrabanda detare dhe policia kufitare. 6 muaj më parë gjykata e Durrësit caktoi “arrest në burg” për kapitenin e anijes Zuhair Alkëafi, dy ndihmësit Muajid Altabir, Amad Abushala, si dhe punonjësin e ngarkim shkarkimit sirianin Badr Tezini. Ata akuzohen për “Kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”, të kryera në bashkëpunim. Kjo masë është ndryshuar në mes të muajit mars, ndërsa hetimet vijojnë.

E ndërtuar në vitin 1994, anija çisternë “Queen Majeda” që lundron me flamur të Kamerunit u bllokua më 12 shtator të vitit të kaluar në Durrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA