Përfaqësuesja shqiptare do të startojë nga sot përgatitjet për ndeshjen me Poloninë që është edhe takimi hapës i eliminatoreve të Europianit për Kuqezinjtë.

Përpara nisjes për në Varshevë skuadra nën drejtimin e trajnerit të ri Sylvinho do të zhvillojë për rreth 1 javë stërvitje në “Shtëpinë e Futbollit”, përpara nisjes me 26 drejt Polonisë ku më 27 mars do të luhet ndeshja.

Në konferencën për shtyp të parë të këtij grumbullimi ishte sulmuesi kavajs Sokol Cikalleshi i cili aktivizohet në kampionatin e Arabisë Saudite.

Stafi i ri i trajnerëve sapo ka ardhur. Koha është e shkurtër, por shpresojmë që në këtë kohë të bëjmë më të mirën. E thash që është ndeshja më e vështirë e këtij edicioni, por nga ana tjetër mund të bëhet ndeshje që të na japë shtysën për të arritur maksimumin dhe të arrijmë kualifikimin. Duke qenë se kemi një kundërshtar direkt edhe barazimi nuk është keq, por gjithmonë shkojmë për ta fituar ndeshjen.”- shprehet Sokol Cikalleshi.

Ndërkohë një ndër risitë e këtij grumbullimi të parë të trajneri brazilian është sulmuesi tjetër Jasir Asani i cili vetëm 48 orë më parë në ndeshjen e fundit me klubin e tij në Korenë e Jugut shënoi 3 gola.

Jam shumë i lumtur, pasi jam nga Maqedonia e veriut dhe si çdo shqiptar atje, mezi e pres ftesën. Ne e ndjejmë fanellën kuqezi dhe japim gjithmonë 200%, ndaj jam shumë i lumtur që jam pjesë e Shqipërisë dhe gati të bëj më të mirën në fushë. Ftesën e kam pranuar menjëherë dhe me shumë dëshirë. Jam shumë i kënaqur që shënova tre gola në ndeshjen e fundit dhe tani jam gati të bëj maksimumin për Kombëtaren Shqiptare“- shprehet Jasir Asani.

Ky grumbullim i parë i Sylvinhos karakterizohet nga shumë mungesa të lojtarëve kryesorë sidomos në repartin mbrojtës. Kjo do të jetë dhe qasja e parë e tij me lojtarët të cilët prej mëse dy muajsh i ka ndjekur nëpërmjet videos.

Dhe vetë pas këtyre ditëve stërvitore do të vendosë jo vetëm se cilët lojtarë do të aktivizojë ndeshjen e tij të parë, por edhe për ndryshimin në skemë e kuqezinjve.

Top Channel