Dhënia e gjalpit të kikirikut foshnjave të vogla midis katër dhe gjashtë mujash mund të ulë në mënyrë dramatike alergjitë ndaj kikirikut, thonë shkencëtarët sipas hulumtimit të fundit, i publikuar në Journal of Alergy and Clinical Immunology.
Në këtë periudhë alergjia mund të reduktohet me 77%. Kjo është e barabartë me parandalimin e 10,000 nga rreth 13,000 rastet e alergjisë ndaj kikirikut çdo vit. Vonesa e përdorimit të ushqimeve me bazë kikiriku derisa fëmija të jetë një vjeç do të ulte vetëm rastet e alergjive me 33%, sipas hulumtimit.
Ekspertët paralajmërojnë se arrat dhe kikirikët e plotë ose të copëtuar janë një rrezik mbytjeje dhe nuk duhet t’u jepen fëmijëve nën pesë vjeç, kështu që duhet bërë kujdes pasi mjafton një sasi e caktuar sa për shije (i grimcuar, i bluar ose gjalpë).
Një foshnjë është gati për ushqimin e parë të ngurtë nëse:
-ata mund të qëndrojnë në një pozicion ulur, duke mbajtur kokën të palëvizur
-koordinojnë sytë, duart dhe gojën e tyre në mënyrë që ata të mund të shikojnë ushqimin e tyre, ta marrin dhe ta vendosin në gojë
-gëlltitin ushqimin, në vend që ta pështynë
Alergjia ndaj kikirikut është rritur në Mbretërinë e Bashkuar me rreth një në 50 fëmijë të prekur. Alergjia ndaj kikirikut është bërë aq e zakonshme sa disa shkolla e ndalojnë këtë përbërës.
Alergjitë ushqimore janë rezultat i sistemit tonë imunitar që ngatërron diçka të padëmshme me një kërcënim serioz. Për disa, edhe një sasi e vogël kikiriku mund të çojë në një reagim të tillë imunitar dërrmues saqë bëhet kërcënues për jetën.
Në vend të kësaj, ngrënia e kikirikut ndërsa sistemi imunitar është ende në zhvillim – dhe të mësosh të dallosh mikun nga armiku – mund të reduktojë reaksionet alergjike, thonë ekspertët.
Top Channel