Përfaqësuesit politikë dhe institucional të shqiptarëve në Luginën e Preshevës kërkuan ta zyrtarizojnë pretendimin e tyre përmes një deklarate të përbashkët me të cilën insistojnë për të drejta të barabarta me serbët, siç parashikon për ta plani europian.
Mediat në Kosovë kanë parë dokumentin e cili e thekson që në pikën e tij të parë kërkesën për realizimin e plotë të të drejtave kolektive të shqiptarëve, sipas standardeve më të larta të parapara me dokumentet përkatëse të OKB-së, Bashkimit Europian dhe Këshillit të Evropës, si dhe praktikave përkatëse, dhe zgjidhjen e tyre në kuadër të Dialogut Kosovë-Serbi dhe propozimit europian.
Ata gjithashtu i kanë mëshuar idesë që pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të ketë një monitorim më të madh ndërkombëtar. Po kështu, pretendohet edhe “përfshirja e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit, me qëllimin që situata e tyre të barazohet me atë të serbëve në Kosovë”.
“Kërkojmë nga Qeveria e Serbisë zbatimin e të gjitha detyrimeve ndaj Luginës së Preshevës dhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar”, thuhet në pikën e katërt të deklaratës së përbashkët të lëshuar nga përfaqësuesit politikë e institucionalë shqiptarë.
Ata kanë rikthyer aty në vëmendje edhe fshirjen e adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës që përkohësisht jetojnë jashtë vendit, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të kësaj praktike diskriminuese dhe kthimin e të drejtave të mohuara të këtyre familjeve shqiptare.
Deklarata përmban gjithsejtë shtatë pika në të cilat kërkohen të drejtat e shqiptarëve që të jenë të barabarta me ato të komunitetit serb në Kosovë sipas planit franko-gjerman. Ajo është nënshkruar veç të tjerash dhe deputeti i vetëm shqiptar i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi.
Top Channel