Arsenali triumfoi 0-3 në derbin e Londrës përballë Fulhamit, takim që u zgjidh në pjesën e parë. “Topçinjtë” kanë nisur numërimin mbrapsht sa i përket titullit kampion, që klubit dhe tifozëve u mungon prej vitit 2004.
Për skuadrën e Mikel Artetës kanë mbetur edhe 11 finale deri në fund për të arritur objektivin kryesor: triumfin në Premier League.
Numri një i pankinës u shfaq i lumtur për rezultatin dhe dominimin ndaj Fulhamit. “Jam vërtet i lumtur. Ishte një transfertë e vështirë për t’u fituar, pasi ata kanë një ekip të mirë organizuar. Por ne dominuam gjatë gjithë sfidës, krijuam shumë raste dhe nuk pësuam gol. Kjo ishte shumë e rëndësishme.
Leandro Trossard ishte goditja e madhe e Arsenalit në merkaton e janarit. Belgu është përshtatur për mrekulli tek ekipi i ri, ndërsa përballë Fulhamit ishte autori i tri pasimeve vendimtare. Sulmuesi i majtë u fut në historinë e Premier League si lojtari i vetëm që dhuron tri asiste brenda pjesës së parë të një takimi në transfertë.
Arteta foli me superlativa për 28-vjeçarin: “Trossard zhvilloi një ndeshje të madhe. Ai krijoi tre golat tanë. Gjithashtu mund të kishte realizuar edhe vetë në dy raste. Trossard zhvilloi një paraqitje mbresëlënëse. Shikoni se çfarë impakti pati menjëherë. Ne kishim nevojë për të. Kontributi i tij ishte i shkëlqyer“.
Top Channel