Inter “humbet pjesët” në prapavijë, hidhet në sulm për lojtarin e Manchester United

12/03/2023 12:41

Milan Skriniar do të largohet nga Inter me destinacion klubin e PSG në fundin e sezonit aktual, ndërsa nga ana tjetër, edhe Stefan De Vriij duket me një “këmbë” jashtë Milanos duke qenë se është në vitin e fundit të kontratës.

Dy humbje në prapavijë për Interin dhe drejtuesit nuk mund të qëndrojnë “duarkryq” në një situatë të tillë teksa kërkojnë të përforcojnë organikën me Victor Lindelof të Manchester United.

Nuk është hera e parë që italianët interesohen për danezin duke qenë se tentuan ta huazonin edhe në merkaton e janarit. Por, në atë periudhë Erik ten Hag vendosi veton pasi kërkoi të kishte alternativa në repartin difensiv. Gjithsesi, në verë do të jetë një tjetër histori me “Djajtë e Kuq” që janë të gatshëm të heqin dorë nga Lindelof në rast të një oferte deri në 31 milionë paund.

Edhe pse në total këtë sezon, Lindelof është aktivizuar në 20 ndeshje me United, sa i takon Premier League ai ka luajtur vetëm nëntë herë. Nga të cilat vetëm pesë si titullar duke qenë se tashmë qendra e mbrojtjes i është besuar Martinez dhe Varane. Në këtë formë, mbrojtësi që iu bashkua anglezëve nga Benfica në vitin vitin 2017 për shumën e 31 milionë paundëve, duket se është gati për një eksperiencë të re në karrierë, ndoshta tek Inter në Serie A./ SuperSport

Top Channel