Tadej Pogaçar vendosi të hapë zemrën dhe të bëjë një rrëfim për ‘The Athletic’ në lidhje me një rrëzim të frikshëm ku u përfshi muajin e kaluar gjatë Xhiros së Spanjës duke dhënë detaje drithëruese për atë që i ndodhi.

‘Thjesht, jam i lumtur që jam gjallë apo që jam në gjendje që të qëndroj në këmbë-tregon Pogacar që me këtë rast tregoi se pësoi frakturë në 3 vertebra dhe jo në 1 siç u tha në diagnozën e parë, frakturë së cilës i shoqërohet edhe ajo në klavikul dhe hemorragjia cerebrale.

‘Dy javë pas rrëzimit iu nënshtrova një ekzaminimi tjetër në TAC dhe zbulova se ishin edhe dy vertebra të tjera të thyera’-tregon Pogaçar i cili më pas tregoi për vështirësitë që hasi në fillimin e periudhës së rikuperimit të kryer në Montecarlo ku edhe jeton duke folur për marrje mendsh dhe probleme me të vjellat dhe koordinimin.

‘Nuk arrija dot as të bëja një dush. Kisha marrje mendsh sa ngrihesha në këmbë apo kur ulja kokën-vijon rrëfimin e tij çiklisti slloven-isha tejmase i lodhur, ishte me të vërtetë shumë e vështirë. Për më tepër nuk isha mirë as mentalisht. Isha me të vertetë me moral shumë të ulët, thuajse në depresion dhe kaloja ditë të tëra pa pasur dëshirën për të bërë asgjë’.

Me t’u kthyer në drejtimin e biçikletës, Pogaçar pranoi se ndjeu njëfarë ankthi gjatë zbritjeve.

‘Nëse do të rrëzohesha përsëri, situata mund të bëhej vërtet problematike-tha Pogaçar edhe pse siguroi se nuk po ndjen më asnjë problem fizik-kam ndjesinë se kam rigjetur një ritëm të mirë, si në stërvitje ashtu edhe gjatë procesit të rikuperimit’.

Top Channel