Alibeaj mbledh Grupin dhe Kryesinë/ Fton kandidatët e Berishës të futen në zgjedhjet e 14 majit me logon e PD-së. Tabaku: Basha është e shkuara

06/03/2023 12:50

Enkelejd Alibeaj, i prezantuar në KQZ si kryetar i Partisë Demokratike ka mbledhur Grupin Parlamentar dhe Kryesinë, për të diskutuar për agjendën e zgjedhjeve lokale, pak pas depozitimit në KQZ të kërkesës për regjistrimin në vendoret e 14 majit.

Në mbledhje janë të pranishëm 18 deputetë, Selaudin Jakupllari, Ramadan Likaj, Lefter Gështenja, Flutura Açka, Merita Bakiu, Eralda Tase Bane, Andia Ulliri, Flamur Hoxha, Arbi Agalliu, Kreshnik Collaku, Gazment Bardhi, Sajmir Korreshi, Dhurata Çupi, Zheni Gjergji, Bledion Nallbati, Dashbor Sula, Jorida tabaku dhe Enkelejd Alibeaj.

Pas mbledhjes së kryesisë , deputetja Jorida Tabaku tha se PD duhet të dalë e bashkuar në zgjedhje dhe se përballë nuk kanë njëri-tjetrin, por Edi Ramën. Për Lulzim Bashën, Tabaku tha se ai është e shkuara dhe se duhet të shohim nga e ardhmja.

Nuk ka rëndësi se çfarë pozicion kam unë. Duhet të ngrihemi mbi veten tonë për të ofruar një ofertë serioze për PD-në, në zgjedhjet e 14 Majit. Sot është momenti që të bashkuar të ofrojmë atë që nuk e ofruam dot në vitin 2019. Shqiptarët presin një ofertë serioze nga partia Demokratike. Unë do të jem gjithmonë për bashkimin e Partisë Demokratike. Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen. Është e shkuara e PD-së, ne duhet të shohim nga e ardhmja. Data me firmën e tij është 18 Mars 2022.”– është shprehur deputetja Tabaku.

Enkelejd Alibeaj i ka bërë thirrje kandidatëve të dalë nga primaret e Sali Berishës që të futen në garën elektorale të 14 majit nën siglën zyrtare të PD-së. ‘Me pjesëmarrjen, me kandidatët , me garën, me synimet dhe me rezultatet tona në këto zgjedhje duhet të nderojmë historinë e Partisë Demokratike’- tha ai.

“Siç deklaruam të premten në mbrëmje, vendimi i Gjykatës së Apelit, përbën për Partinë Demokratike, për të gjithë ne, një moment të veçantë përgjegjësie për të rimarrë me energji të reja kursin e forcimit, rritjes dhe fitores. Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë, por jemi me të vendosur se kurrë për t’ja dalë me demokratët pa dallim, me zgjedhësit tanë, me qytetarët shqiptarë, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë perëndimorë, me SHBA, vendet e BE-së, me Britaninë e Madhe. Nga sot fokusi kryesor i gjithë veprimtarisë sonë politike janë zgjedhjet vendore të 14 Majit. Me pjesëmarrjen, me kandidatët , me garën, me synimet dhe me rezultatet tona në këto zgjedhje duhet të nderojmë historinë e Partisë Demokratike; Të afirmojmë Partinë Demokratike si alternativa kryesore e qendrës së djathtë demokratike, kombëtare, perëndimore dhe euro-atlantike në Shqipëri; T’i japim pushtetit vendor fytyrën e alternativës sonë demokratike; Të vendosim dhe të synojmë objektiva ambicioze, të hedhim bazat e sigurta të fitores së madhe në zgjedhjet parlamentare për largimin e qeverisë së korruptuar deri në palcë të Edi Ramës, dhe duke bërë realitet rrotacionin jetëdhënës të pushtetit që presin me etje të shpallur shumica e shqiptarëve. Për këtë :1-Në lidhje me kandiatët për këshilltarë bashkiakë:
Duhet të fillojnë menjëherë nga puna duke ftuar demokratët dhe intelektualët rreth saj të shprehin interesin për të qenë pjesë e listës së këshiltarëve të PD-së në bashkitë respektive. Paralelisht, kjo Kryesi do të miratojë një udhëzim të detajuar për mënyrën e zgjedhjes dhe renditjes së tyre në mënyrë demokratike dhe të drejtë. 2- Në lidhje me kandidatët për kryetarë të bashkive;
Në funksion të bashkimit, duke konsideruar realitetet që kanë prodhuar primaret e mëparshme të PD-së në prag të zgjedhjeve të vitit 2021, votimet me primare nga grupi i Rithemelimit dhe kandidime të tjerë, i propozoj kësaj kryesie hapjen në princip ndaj gjithë prurjeve në fjalë, në mënyrë eksplicite ndaj kandidatëve demokratë të primareve gjithashtu, me synim daljen me kandidatë unik. 3-Në lidhje me aleancat;
PD merr përsipër ti prijë ndërtimit të një Aleance sa me të gjerë të mundshme të gjithë partive të qendrës së djathtë, me synim maksimizimin e votave të një të djathtë plurale ku secili subjekt zhvillon identitetin e vet politik brenda kornizës përbashkuese të vlerave demokratike, kombëtare dhe Perëndimore”– u shpreh deputeti Alibeaj.

Gazment Bardhi, në mbledhjen e Kryesisë është shprehur se opozita duhet të dalë me kandidatë unik.

“Secili prej nesh ka bërë betejë për ta bërë Partinë Demokraktike fituese, alternativë qeverisëse. Gjatë kësaj kohe ka nevojë vetëm për maturi. Gjuha e urrejtjes nuk mund të ketë vend tek ne. Jemi 70 ditë larg nga zgjedhjet. Fokusi ynë duhet të jenë vetëm zgjedhjet e 14 Majit. Ne duhet të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë, të ofrojmë çdo gjë, që të gjendet zgjidhje dhe PD e opozita të dalë me kandidatë të përbashkët”– është shprehur Bardhi.

Deputeti Kreshnik Çollaku tha se PD është e të gjithë demokratëve dhe sot është koha e bashkimit, pasi 14 maji është sfidë dhe duhet dalë me një kandidat të unifikuar nën siglën e PD.

Vendimi i datës 3 qartësoi legjitimitetin e strukturës drejtuese të PD. Asgjë më shumë se kaq. Ne kemi detyrën të sillemi si PD dhe jo më si grupe brenda PD. PD është e të gjithë demokratëve dhe e jona këtu dhe atyre atje. Sot është detyra jonë t’i ofrojmë bashkëpunim e bashkim me çdo demokrat. Ky vit ka qenë shumë vit i ngarkuar. Kemi mbajtur shumë baltë, akuza të pavërteta,agresivitet dhe nuk jemi përgjigjur. Mendoj që kemi bërë mirë, por nga sot për hir të bashkimit të PD duhet t’i tejkalojmë këto ngarkesa negative  Sfidë mbetet zgjedhjet e 14 majit. Kam kërkuar në çdo kohë të bëjmë çdo sakrificë për të dalë me kandidat të unifikuar nën siglën e PD.  E kam kërkuar edhe vetë dhe e mbështes propozimin të ftohen të gjithë kandidatët te dale nga procesi i primarëve nga pala tjetër në siglën e PD. Ne kemi çdo mundësi që të hapim një dialog e proces konsensusi në çdo bashki për tu përfaqësuar me emra cilësor fitues dhe të unifikuar. Nëse vërtetë duam të bëjmë një PD fituese duhet bashkim dhe tejkalim i çdo ngarkese emocionale apo interesi personal”– është shprehur deputeti Kreshnik Çollaku.

Lufta e brendshme e PD-së është zhvendosur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi një natë më parë ish-kryeministri Sali Berisha paraqiti kërkesën e tij për regjistrimin e PD-së duke pretenduar se e ka të drejtën ligjore. Berisha dërgoi përfaqësuesit ligjorë të ‘Rithemelimit’, Ledio Nuraj dhe Franc Nuri që depozituan dokumentacionin për regjistrimin si subjekt zgjedhor në emër të Partisë Demokratike për 14 majin, duke firmosur dokumentet si kryetar i Partisë Demokratike.

Deputeti Dashnor Sula deklaroi se e mbështet idenë e kandidatëve të përbashkët. Njëkohësisht ai tha se duhet të mandatohet një grup negocimi me palën tjetër.

“Mbështesim idenë e kandidatëve të përbashkët dhe e vlerësoj ftesën e Alibeaj. Partia menjëherë pas zgjedhjeve të hyjë në proces zgjedhor në një afat kohor brenda 3 muajve pas ditës së zgjedhjeve të 14 majit. Kryetari në detyrë të ndajë detyrën nga Kryetari grupit dhe një deputetë tjetër të drejtojë grupin parlamentar. Të mandatohet një grup negocimi me palën tjetër”, u shpreh Sula.

Deputetja Dhurata Çupi foli me tone kritike në mbledhje, duke kërkuar që të negociohet me palën tjetër që të dalin me një kandidat.

“E vërteta është se ne na ka rënë një përgjegjësi e madhe, por shpatullat tona janë të vogla. Na është lënë një kullë e madhe për të drejtuar, themelet e të cilës janë të shembura. Ne në fakt na kanë dhënë letrat, por jemi të vegjël. Këtu flasim për 61 kandidatë dhe 1600 këshilltarë dhe kemi kaq pak kohe. Ku do t’i gjejmë Lidershipi i partisë nuk ka funksionuar. Unë shkoj rregullisht në Mat dhe atje takoj vetëm të foltores sepse nga ana jonë nuk ka njerëz”, tha ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA