Sektori i ndërtimi vijon zgjerimin. INSTAT tregon se tremujorin e katërt të 2022-it, u dhanë 16.4% më shumë leje ndërtimi se në të njëjtën periudhë vitin e kaluar.
Nga lejet e dhëna 82% e tyre janë për banim, ndërsa pjesa tjetër për hotele, ndërtesa tregtare ose industriale. Edhe pse janë dhënë më shumë leje, sipërfaqja e ndërtimit është më e rreth 9% më e ulët se vitin e kaluar.
Ajo që vihet re është se Tirana vijon të zërë vendin e parë për sipërfqe e ndërtimit, ku janë dhënë 1.8 milion metra katrorë sipërfaqe ndërtimi. Në krahasim me një vit më parë, ky tregues u rrit me rreth 10%, ndërsa ka shënuar nivelin më të lartë historik, të paktën që nga viti 2005.
Në total, në Tiranë për gjithë vitin 2022 u dha rreth 68% e totalit të lejeve që jepen në të gjithë vendin. Pas tij vjen qyteti bregdetar i Durrësit dhe Vlorës, ndjekur nga Korça.
Gjatë gjithë vitit 2022 ishin 1.7% më shumë leje ndërtimi të dhëna, ndërsa sipërfaqja 15% më shumë se një vit më parë. Ndërtimi dha një kontribut me 11.4% në rritjen ekonomike të vendit 9 mujorin e 2022, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 13,3%, duke u kthyer në lokomotivë, përpara industrisë.
Sa i përket bashkive në vitin 2021, të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme dhe transaksionet e kryera me to ishin rreth 6.1 miliardë lekë, në rritje me rreth 20% në terma vjetorë, përfaqësuan rreth 34% të të ardhurave nga taksat vendore dhe rreth 21% ndaj të ardhurave nga burimet e veta vendore.
Në ndarjen sipas bashkive, rreth 46% e të ardhurave nga taksa për pasuritë e paluajtshme mblidhet në bashkinë Tiranë, Bashkia Durrës renditet e dyta për nga pesha me rreth 7% ndaj totalit për vitin 2021, ndjekur nga bashkitë Fier, Elbasan dhe Vlorë.
Top Channel