Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka konfirmuar se liderët e Kosovës dhe Serbisë e kanë miratuar të hënën propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve.

“Ajo që u ra dakord në takim është se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme për përmbajtjen, për tekstin e propozimit dhe se do të punojmë me palët për zbatimin. Natyrisht, ne si BE do t’i ndihmojmë ata. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona lehtësuese. Ata e miratuan propozimin. Ata ranë dakord që nuk nevojiten diskutime të mëtejshme rreth dokumentit dhe se mund të kalojmë në fazën tjetër”, ka thënë Stano në një konferencë të rregullt për media.

Një ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, janë takuar në Bruksel për të diskutuar propozimin e BE-së.

Në fund të takimit, pro-planit është shprehur vetëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa Vuçiç është shprehur se thënë se është e mundur të arrihen disa kompromise dhe janë duke punuar për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Kryediplomati evropian, Josep Borell tha në fund të ditës se të dyja palët kanë shprehur gatishmëri për të vijuar në zbatimin e marrëveshjes.

Zëdhënësi i Brukselit, Peter Stano, ka përsëritur se diskutimet e mëtejshme për dokumentin evropian nuk janë më të nevojshme, dhe se tani po punohet për modalitetet e zbatimit të marrëveshjes.

Propozimi evropian u është dorëzuar palëve fillimisht në vjeshtën e vitit 2022.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA