Tërmeti që goditi Tuqinë dhe Sirinë është një nga fatkeqësitë natyrore më vdekjeprurëse të kësaj dekade.

Duke parë bilancin tragjik të jetëve të humbura dhe të milionave njerëzve që kanë mbetur të pastrehë, Top Channel në bashkëpunim me Fondacionin Fundjavë Ndryshe, nisi një  thirrje solidariteti në programin më të ndjekur në Shqipëri, Big Brother Vip  për të ndihmuar popullin turk dhe atë sirian.

“Dhe ne duam që këtë ndikim që media ka, këtë ndikim që Top Channel ka në  Big Brother  ta përdorim duke shkuar tek ata që u prekën nga tërmeti”, tha moderatorja Arbana Osmani.

Në më pak se dy javë kësaj thirrje iu përgjigjen 1200 shqiptarë anembanë botës, të cilët kontribuan për të ndihmuar të mbijetuarit e kësaj tragjedie, si dhe për të kthyer shpresën  dhe humanizmi në kohë të vështira.

“Disa ditë më parë përveç të mirave materiale që fushata filloi që në ditën e parë ne krijuam një fond ku kërkuam ndihmën e të gjithë shqiptarëve dhe me kërkesën e tyre për të gjithë ata që ishin jashtë. Top Channel iu bashkua kësaj fushate duke i dhenë zë dhe patëm 1200 shqiptarë të cilët ndihmuan në shuma monetare të vogla por me shumë dashuri, afër 100 mijë dollarë të mbledhura dhe të përkthyera në ndihma dhe të mira materiale, te cilat sot janë në këto dy trailera dhe niset drejt Turqisë dhe Sirisë. Kemi ngarkuar afër 1800 krevatë, qindra dyshekë, batanije, ngrohëse te vogla. Pasi faza e dytë e njerëzve do të jetojnë në kontejner për një fare kohe”, tha drejtori ekzekutiv i Fondacionit Fundjavë Ndryshe, Arbër Hajdari.

Pak para nisjes së dy trajlerave me ndihma, shprehu falenderimet e tij edhe ambasadori i Turqisë në Shqipëri.

“Jemi këtu sërish për të bërë të mundur nisjen e disa ndihmave humane drejt Turqisë pas tërmetit të ndodhur atje. Deri më sot janë gjithsej 7 kamiona trailer që janë nisur me ndihma humane drejt Turqisë. Edhe sot jemi këtu për të bërë të mundur nisjen e dy trailerve të tjerë me mbështetjen e ambasadës dhe Fondacionit Fundjavë Ndryshe”, tha ambasadori turk në vendin tonë, Tayar Kagan.

Shqiptarët i kanë ende të freskëta plagët që i shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit në 2019, ashtu si nuk kanë harruar ndihmën që populli turk i dha Shqipërisë në ato momente tragjike. Dhimbja që lanë pas këto tërmete, bënë bashkë shqiptarët në të gjithë botën për të ndihmuar të gjitha ata njërëz që po përballën me humbjen e familjarëve dhe të gjithckaje që ata kishin.

Top Channel