Në Ohajo, dalja nga shinat e një treni dhe rrjedhimisht djegia e disa kimikateve që po transportonte ka ngritur pikëpyetje për pasojat shëndetësore.

Banorët po parashtrojnë shqetësime lidhur me shtëllungat e tymit, kafshët e ngordhura dhe nëse rrezikohet uji i pishëm.

Para pak më shumë se një jave, një tren transporti me 50 vagona doli nga shinat dhe u përmbys duke shkaktuar zjarr në periferi të qytetit Palestinë të Ohajos pranë kufirit me Pensilvaninë, si rezultat i një problemi mekanik.

Nuk pati të lënduar nga aksidenti. Disa banorë të zonës u larguan si rezultat i shqetësimeve nga kimikatet e rrezikshme që po transportonte treni. Më pas zyrtarët dhanë urdhër për evakuimin e menjëhershëm të zonës ndërsa u shtua frika për një shpërthim të mundshëm të kimikateve në trenin që po digjej.

Për të shmangur rrezikun nga një shpërthim i pakontrolluar, zyrtarët vendosën që të djegin lëndën toksike në pesë vagona, çka shkaktoi flakë dhe tym të zi.

Skena rrëqethëse nxiti më shumë pikëpyetje lidhur me rreziqet e mundshme shëndetësore në zonë dhe përtej saj, madje edhe pse autoritetet pohuan se po bënin gjithçka për të mbrojtur njerëzit. Gjatë ditëve që pasuan, shqetësimet dhe pikëpyetjet e banorëve u shtuan edhe më shumë, pjesërisht si rezultat i përhapjes së lajmeve të rreme në internet.

Lënda kimike në tren, klori i vinilit, lidhet me shtimin e rrezikut për disa lloje kanceresh, ndërsa zyrtarët në atë kohë paralajmëruan se djegia do të çlironte dy gaze të rrezikshme të përdorura si armë gjatë Luftës së Parë Botërore.

Zyrtarët e mjedisit thanë se specialistët zbuluan në ajër lëndë toksike gjatë djegies së kontrolluar dhe zyrtarët lejuan kthimin e popullsisë vetëm pas shpërndarjes së tij.

Ata thonë se monitorimi i vazhdueshëm i ajrit nuk ka zbuluar nivele të rrezikshme në zonë, përfshi testimet brenda 400 shtëpive, pas lejmit të kthimit të banorëve.

Edhe në komunitetet përtej zonës së aksidentit, disa banorë thonë se janë të shqetësuar lidhur me efektet afatgjata të ekspozimit ndaj lëndëve toksike.

Dalja e trenit nga shinat ka nxjerrë në pah pikpyetje mbi sigurinë hekurudhore, megjithëse të dhënat nga agjencitë federale tregojnë se aksidentet që përfshijnë materiale të rrezikshme në këtë shkallë janë shumë të rralla./Voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA