Qeveria e Kosovës i dha dritën jeshile marrëveshjes së lëvizjes me letërnjoftime mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, një pakt ky që pas hyrjes në fuqi, do të mundësojë lëvizjen pa viza të qytetarëve nga Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina.

Në mbledhjen e mbajtur sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo marrëveshje është një prej tri marrëveshjeve të arritura në Berlin më 3 nëntor 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Asokohe, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor arritën edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve. Kurti tha se Qeveria do ta procedojë këtë legjislacion në Kuvend për ratifikim.

Ratifikimi i shpejtë i tyre është tregues i përkushtimit dhe angazhimit tonë për bashkëpunim rajonal, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe avancim drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje për rajonin, “pas ratifikimit nga dy vendet përkatëse, qytetarët e Kosovës dhe të Bosnjë e Hercegovinës do të lëvizin lirshëm vetëm me letërnjoftime”.

Kjo marrëveshje ende nuk është miratuar nga autoritetet në Bosnjë e Hercegovinë.Regjimi i vizave ka penguar udhëtimet e qytetarëve që jetojnë në Kosovë, por që kanë prejardhje nga Bosnja.

Bosnjë e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe qytetarët e të dyja shteteve duhet të pajisen me vizë nëse duan të udhëtojnë në shtetet përkatëse. Më 2014, Kosova vendosi masën reciproke sa i përket regjimit të vizave për shtetasit e Bosnjë e Hercegovinës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA