Ngrënia e ushqimeve të ‘ultra-përpunuara’ rrisin rrezikun e zhvillimit dhe vdekjes nga kanceri, veçanërisht nga kanceri ovarian, sipas një studimi të ri me mbi 197,000 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar.
Ushqimet tepër të përpunuara përfshijnë supa të parapaketuara, salca, pica të ngrira dhe ushqime të gatshme, si dhe hot dog, salçiçe, patate të skuqura, pije të gazuara, biskota të blera në dyqan, ëmbëlsira, karamele, donuts, akullore dhe shumë të tjera.
“Ushqimet ultra të përpunuara prodhohen me përbërës me prejardhje industriale dhe shpesh përdorin aditivë ushqimorë për të rregulluar ngjyrën, shijen, konsistencën, strukturën ose për të zgjatur jetëgjatësinë”, tha Dr. Kiara Chang, një bashkëpunëtor i Institutit Kombëtar për Kërkimin e Shëndetit.
“Trupi ynë mund të mos reagojë në të njëjtën mënyrë ndaj këtyre përbërësve dhe aditivëve ultra të përpunuar si ndaj ushqimeve të freskëta dhe ushqyese të përpunuara minimalisht”, tha Chang.
“Megjithatë, njerëzit që hanë më shumë ushqime ultra të përpunuara gjithashtu priren të pinë më shumë pije të gazuara dhe më pak çaj dhe kafe, si dhe më pak perime dhe ushqime të tjera të lidhura me një model të shëndetshëm diete”, tha Duane Mellor, një dietologe dhe pedagoge e lartë.
Studimi, i botuar të martën në revistën eClinicalMedicine, shqyrtoi lidhjen midis ngrënies së ushqimeve ultra të përpunuara dhe 34 llojeve të ndryshme të kancerit gjatë një periudhe 10-vjeçare.
Studiuesit ekzaminuan informacionin mbi zakonet e të ngrënit të 197,426 njerëzve që ishin pjesë e Biobank UK, një bazë të dhënash e madhe biomjekësore dhe burim kërkimi që ndoqi banorët nga 2006 deri në 2010.
Sasia e ushqimeve ultra të përpunuara të konsumuara nga njerëzit në studim varionte nga 9.1% deri në 41.4% të dietës së tyre, zbuloi studimi.
Çdo rritje prej 10% në konsumin e ushqimeve të përpunuara u shoqërua me një rritje prej 2% në zhvillimin e çdo kanceri dhe një rritje prej 19% të rrezikut për t’u diagnostikuar me kancer ovarian, sipas një deklarate të lëshuar nga Imperial College London.
Vdekjet nga kanceri gjithashtu u rritën, zbuloi studimi. Sipas deklaratës, për çdo rritje shtesë prej 10% në konsumin e ushqimit ultra të përpunuar, rreziku i vdekjes nga çdo kancer u rrit me 6%, ndërsa rreziku i vdekjes nga kanceri ovarian u rrit me 30%.
Top Channel