32 mijë dosje kanë mbetur në pritje nga shkrirja e Gjykatave të Apelit, situatë e cila është diskutuar mbrëmjen e sotme në “Top Story”, ku e pranishme ishte me anë të një lidhjeje skype edhe kryetarja e KLGJ-së Naureda Llagami. 

Ajo ka treguar se ky rrugëtim ka si synim kryesor efiçencën e shërbimeve dhe dhënien e shërbimeve aty ku do të jetë më e nevojshme.

Llagami bëri me dije se sistemi gjyqësor po punon në mënyrë të përforcuar dhe në mënyrë që të ketë ndarje proporcionale të çështjeve duhet të përqendrohet trupa gjyqësore

Naureda Llagani Kryetarja e KLGJ: Është një rrugëtim që ka nisur me një grup pune profesional, lideri është Këshilli i Evropës por projektet i ka mundësuar ambasada amerikane. Unë e kam thënë publikisht që detyrimi për krijim e hartës gjyqësore i referohet ligjit, aty ka një dispozitë që detyron KLGJ-në në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë ta reformojnë. Avantazhet janë se ne gjykatat do ti kemi më efiçente në ofrimin e shërbimeve. Ngarkesa e punës dhe shërbimeve do të jepen aty ku ka nevojë të jepet.  Ky është një parim i cili jo vetëm që është parashikuar në kuadrin ligjor por është nga standartet që vlerësohet në të gjitha gjykatat në të gjithë botën.Aksesi në drejtësi nuk do të thotë vetëm fizik dhe infrastrukturor por që të ketë të drejtë që të gjykohet çështja në një kohë reale të mbrohen të drejtat e secilit. Këshilli nuk e ka anashkaluar në asnjë moment shqetësimin e distancës me gjykatat. Sistemi gjyqësor po punon në mënyrë të përforcuar dhe masat janë marrë në funksionalizimin e sistemit gjyqësor, ajo që ne duam të garantojmë është që të gjithë qytetarëve t’ju garantohet e njëjta e drejtë për të trajtuar çështjet. Sot për shkak të situatës së krijuar në vetting kemi një ngarkesë dhe këtë duam ta kalojmë sepse ishte e pamundur të mbanim gjashtë apele. Kemi një shpoporcion të numrit të çështjeve në gjykata. Nga një pamje që na japin shifrat nuk kemi shpërndarje të drejtë dhe në mënyrë që ta kemi duhet të përqendrojmë trupën gjyqësore.”

Nga kjo e mërkurë nisi funksionimi i hartës së re gjyqësore. Mes kundërshtive të forta, protestave dhe bojkotove nga avokatët, Gjykata e Apelit ishte e para që aplikoi nga data 1 shkurt ndryshimet në mënyrën e funksionimit të saj në të gjithë territorin e Shqipërisë. Nga 6 gjykata apeli që kanë funksionuar derimë sot, sipas hartës së re gjyqësore do të ketë vetëm një Gjykatë të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm e cila do të jetë me seli në Tiranë. Çdo qytetar në Republikën e Shqipërisë që kundërshton një vendim të dhënë në shkallën e parë të gjykatave do të duhet të apeloj këtë vendim në këtë gjykatë në Tiranë. Referuar organikës së miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, kjo gjykatë do të ketë në total 78 gjyqtarë, që përkon me numrin total të tyre në 6 gjykatat e apelit.

Top Channel