Vendimi në Berlin është marrë, Gjermania do ta furnizojë Ukrainën me tanke Leopard

25/01/2023 08:43

Disa media raportojnë se vendimi në Berlin është marrë, “Wall Street Journal” shkruan se presidenti Biden tani po anon drejt dërgimit të tankeve Abrams në Ukrainë.

Sipas disa mediave, qeveria gjermane ka vendosur të dorëzojë tanke luftarake Leopard në Ukrainë. Agjencia gjermane e lajmeve Deutsche Presse-Agentur dhe kanali ntv u referohen burimeve të koalicionit. Asnjë konfirmim zyrtar nuk është dhënë deri tani.

Revista “Der Spiegel” shkruan, pa cituar burime, se dërgesa gjermane është të paktën një kompani e tankeve Leopard 2A6. Koncerni gjerman i armatimit Rheinmetall bëri të ditur se mund të dorëzojë 139 tanke Leopard në Ukrainë, deri në fillim të vitit 2024.

Qeveria federale do të jepte gjithashtu leje për të eksportuar tanke të tillë që janë në zotërim të shteteve të tjera si Polonia. Aleatët e tjerë – ndër të tjera nga Skandinavia – gjithashtu duan t’i sigurojnë Kievit tanke luftarake të tipit Leopard 2.

Një zëdhënës i qeverisë kishte konfirmuar më herët marrjen e një kërkese për ta bërë këtë nga Polonia. Kontratat e eksportit parashikojnë që Gjermania duhet së pari të pajtohet për një eksport të tillë drejt vendeve të treta.

SHBA konsideron dërgimin e tankeve kryesore të betejës Abrams

Në të njëjtën kohë, burime të qeverisë amerikane kanë treguar se Shtetet e Bashkuara mund të dërgojnë përfundimisht tanket luftarake Abrams në Ukrainë. Kancelari gjerman Olaf Scholz kishte theksuar vazhdimisht se ai dëshironte absolutisht një qasje të koordinuar ngushtë transatlantike për dërgimin e një kategorie të re armësh, siç janë tanket e betejës.

Tank Leopard 2 A7V

Presion nga brenda Gjermanisë

Më parë, kreu i grupit parlamentar të partisë socialdemokrate gjermane SPD, Rolf Mützenich, kishte kërkuar një vendim nga Këshilli Federal i Sigurisë për kërkesën polake për dërgimin e Leopardëve në Ukrainë. Duke qenë se bëhet fjalë për çështje sigurie, më i përshtatshmi është ky organ dhe jo komisioni i koalicionit, deklaroi ai para një mbledhjeje të grupit parlamentar në Berlin, ku ishte ftuar edhe ministri i ri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius.

Ndërkohë, kanë dalë në dritë detajet e kërkesës së Varshavës drejtuar qeverisë gjermane. Ajo prek 14 modele të tipit 2A4. Ky është një version më i vjetër i tankut të betejës Leopard, i prodhuar nga viti 1985 deri në vitin 1992. 2A4 u prodhua në sasi të mëdha dhe iu dorëzua nga Gjermania aleatëve të saj gjatë periudhës së çarmatimit pas Luftës së Ftohtë. Bundeswehr-i nuk e ka më këtë version.

Polonia kishte deklaruar vazhdimisht se donte të mbështeste Kievin me tanket e saj të betejës. Duke qenë se Leopardi është i prodhimit gjerman, është i nevojshëm aprovimi i qeverisë gjermane. Megjithatë, Polonia kohët e fundit kishte sinjalizuar se do të dërgonte tanket, nëse kërkohej, edhe pa lejen gjermane të eksportit.

CDU/CSU: “Ne mbështesim furnizimin”

CDU dhe CSU në opozitë i patën kërkuar gjithashtu qeverisë federale të marrë një vendim shpejt. Kreu i grupit parlamentar të CSU-së Alexander Dobrindt tha: “Ne si CDU/CSU do të ishim të gatshëm të mbështesim një vendim për dorëzimin e tankeve”.

Tank Leopard 1

Paralajmërim i AfD

AfD, nga ana tjetër, e pati paralajmëruar qeverinë federale kundër transferimit të tankeve luftarake nga Polonia në Ukrainë. Bashkëdrejtuesi i partisë Tino Chrupalla tha se qeveria gjermane  nuk duhet të përfshijë më tej Gjermaninë në luftën në Ukrainë.

Politikania e Majtë, Sara Wagenknecht tha gjithashtu për radion gjermane Deutschlandradio se interesi ekzistencial i Gjermanisë është që të mos përfshihet në këtë luftë. Për fat të mirë, qeveria federale, sipas Wagenknecht-it, e merr seriozisht këtë. Megjithatë, ajo mendon se Gjermania duhet të jetë shumë më e kujdesshme sesa tani.

Udhëheqja ruse ka paralajmëruar tashmë kundër përfshirjes gjermane. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha në Moskë se kjo në mënyrë të pashmangshme do të linte gjurmë në marrëdhëniet midis dy vendeve. Ai nuk dha detaje./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA