Edhe pse ai nuk e artikuloi hapur, mes rreshtave të deklaratës së të të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak në Prishtinë pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lexohej qartë zhgënjimi.

Delegacioni i të dërguarve ndërkombëtarë, u shpreh ai, priste më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Qëllimi i takimit me Kurtin, nga sa shpjegoi zyrtari i lartë europian, ishte diskutimi i planit të paraqitur kryeministrit në shtator, e më pas edhe në dhjetor të vitit të kaluar.

“Është shumë herët për të bërë deklarata dramatike, sepse, siç e dini, ne jemi në mesin e misionit tonë dhe do të vazhdojmë drejt Beogradit, kështu që nuk kam shumë çfarë të them. Por, dua të theksoj se megjithatë, në këtë pikë, ne kemi pritur që të kuptohen më mirë mundësitë që i ofron ky propozim. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim”, tha Lajçak.

Në takim ishin të pranishëm edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talon, këshilltar i kryeministres së Italisë.

Prania e tyre shihet si shenjë e një angazhimi maksimal të ndërkombëtarëve për arritjen e një marrëveshjeve. Pas vizitës në Prishtinë, ata do të udhëtojnë drejt Beogradit për bisedime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç. Vizitat në të dyja vendet synojnë të përgatisin terrenin për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë në Bruksel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA