Bujqësia nuk përfshin vetëm shifrat e eksporteve të fruta perimeve. Për këtë, Ministria e Bujqësisë në vitin 2023 duhet të përballet me sfidat e radhës, ku sektori më problematik vazhdon të jetë blegtoria, pasi numri i krerëve është gjithnjë në rënie.

Në konferencën e sotme për mediat, Krifca u pyet nga gazetarët për mënyrën si do të zgjidhen problemet dhe si do të ndihmohen fermerët dhe blegtorët, që vazhdimisht kanë raportuar për mungesë tregu dhe mungesë mbështetjeje.

Gazetarja e Top Channel Rudina Muça, duke pasqyruar kërkesën e blegtorëve që duan të mbështeten për çdo litër qumësht, pyeti ministren se çfarë do të bëhet këtë vit për ta.

Rudina Muça: Në vitin 2022 nisi dhe eksporti i mishit drejt vendeve të Arabisë Saudite. Fermerët kërkojnë që të mbështeten në një formë tjetër: lekë për litër qumësht. Cila është sfida që do të bëni në vitin 2023 për të ndryshuar fatin e blegtorëve?

Frida Krifca: Blegtoria është një sektor sfidues, por kemi orientimin e qartë për ta mbështetur ashtu si bëmë gjatë vitit 2022. Aktualisht jemi në një analizë të sektorit. Jemi duke komunikuar me blegtorët, për të gjetur politikat e mbështetjes. Jemi në një komunikim të hapur me sektorin, shumë shpejt do të kemi një vendim të Këshillit të Ministrave.

Gazetarja u ndal te vaji i ullirit, ku vazhdimisht Top Channel ka raportuar deklarata e fermerëve që thonë e ka mungesë tregu dhe nuk mund të eksportojnë prodhimin e tyre.

Rudina Muça: Perimet dhe frutat. Perimet e kanë zgjeruar hartë ne shteteve ku po eksportohen. Por, dua të mbetem te ulliri, kur do të jetë gati Shqipëria të eksportojë vajin e ullirit, që duhet thënë është produkt bujqësor. Jo vetëm vaji, por dhe produkte të tjera.

Frida Krifca: Aktualisht, ne kryejmë eksport të ullirit. Jemi duke ndihmuar fermerët për të bërë certifikimin që të mundësohet eksporti. Mirëpres ministrin italian në mars, ku besoj do të lidhim një marrëveshje ku ulliri do të ketë pjesën e vet.

Top Channel