Thatësira pakësoi vajin e ullirit/ Bie prodhimi në Finiq, fermerët pa treg detyrohen ta shesin vajin derë më derë

07/11/2026 13:02

Sezoni i prodhimit të vajit të ullirit ka nisur në Navaricë të Finiqit, por pritshmëritë e fermerëve për një vit të mbarë janë zbehur nga thatësira e zgjatur. Mungesa e reshjeve ka ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e kokrrës së ullirit, e cila këtë vit është më e vogël, duke ulur edhe prodhimin.

Në Navaricë, një nga zonat me traditë në kultivimin e ullirit, fabrikat kanë nisur përpunimin e prodhimit të fermerëve. Investimet në teknologji synojnë përmirësimin e cilësisë së vajit, ndërsa klientët vijnë nga e gjithë zona e Sarandës, deri në Ksamil. Interes për vajin e ullirit të kësaj zone ka edhe nga tregtarë në veri të vendit.

Por përtej vështirësive të prodhimit, fermerët përballen edhe me mungesën e tregut. Kryeplaku i Navaricës thotë se mungojnë pikat e grumbullimit dhe prodhuesit detyrohen ta shesin vajin vetë, duke trokitur shtëpi më shtëpi.

Në kushtet kur thatësira ka ndikuar në prodhim dhe tregtimi mbetet një sfidë, fermerët presin më shumë mbështetje për një sektor që siguron të ardhura për dhjetëra familje. Navarica dhe fshatrat përreth mbeten një nga zonat kryesore të ullishtarisë në Finiq.

 

Top Channel