Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç pret që në gjysmën e parë të janarit, përfaqësues ndërkombëtarë të zbarkojnë në Beograd me mesazhin se Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë sa më parë një ujdi për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

“Pres që burra dhe gra të mëdha nga bota të vijnë tek unë dhe të më thonë se duhet të arrijmë një marrëveshje. Ne po përballemi me një kohë të vështirë për Kosovën dhe Metohinë, por do të luftojmë”, ka qenë komenti i kreut të shtetit serb. Vuçiç u kujdes të nënvizonte rëndësinë që ka për të përmbushja e garancive të bashkësisë ndërkombëtare në bazë të të cilave serbët në veri të Kosovës i hoqën barrikadat nga pikat kufitare drejt Serbisë.

“Situata është shumë më e rrezikshme dhe më e vështirë se sa mendoni. I druhem papërgjegjshmërisë së disa përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe “arrogancës” së autoriteteve të Prishtinës.”– tha Vuçiç.

Një ditë më parë, u mësua se Gjermania dhe Franca po tentojnë t`i japin një tjetër shtysë procesit të dialogut, që këto kohë u spostua disi nga vëmendja mes përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës, të cilat bartin në çdo moment potencialin e shpërthimit të një konflikt të mirëfilltë.

Këshilltari i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, Jens Plettner dhe ai i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Emmanuel Beaune, do të qëndrojnë në Prishtinë në muajin janar, e konfirmuar kjo nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pohoi se atyre do t’u bashkohet edhe i dërguari i  Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Qëllimi i vizitës, sipas presidentes, është pikërisht intensifikimi i dialogut dhe arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA