Gazetarja e Top Channel Leonita Bajrami u sulmua me lëndë plasëse gjatë kohës që zhvillonte një lidhje direkte për “Shqipëria Live” nga Mitrovica.
Teksa ajo po shpjegonte situatën e krijuar në veri të Kosovës, aty ku janë vendosur dy barrikada të reja mëngjesin e sotëm, i është hedhur kapsolli.
Sapo vuri re prezencën e lëndës plasëse, ajo u largua, por pamjet filluan të transmetoheshin live edhe pas ngjarjes.
Së bashku me operatorin Leonita Bajrami u detyrua të largohej nga vend ku ishte vendosur.
Dy barrikada të reja janë vendosur në veri të Kosovës, një në Mitrovicë të Veriut dhe një në Zveçan, te vendi i njohur si Kërshi i Dudës.
“Në veri të vendit, gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes së lirë. Referuar informacioneve zyrtare, janë vendosur edhe dy barrikada me mjete të rënda”, tha Policia.
Barrikada e vendosur në Mitrovicë të Veriut gjendet tek udhëkryqi i Shkollës Teknike, në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve, që është një vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë dhe rruga ku është vendosur barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.
Ndërkaq, barrikada e vendosur te Kërshi i Dudës bllokon lëvizjen nga Mitrovica e Jugut në drejtim të Rudarës, pjesë e Komunës së Zveçanit.
Barrikada në Lagjen e Boshnjakëve është e para e vendosur brenda një qyteti në veri, që kur një grup serbësh lokalë nisën bllokimin e rrugëve më 10 dhjetor.
Barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Top Channel