Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se është duke e hetuar atë që e ka quajtur “incident jodirekt zjarri” më 25 dhjetor, kur u raportua për të shtëna afër një patrulle të KFOR-it në Zubin Potok – njëra nga katër komunat e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.
KFOR-i e kishte konfirmuar këtë incident mbrëmjen e së dielës, ndërsa të hënën ritheksoi se nuk ka pasur të lënduar ose dëme materiale.
“Incidenti përfshinte persona të panjohur të armatosur në zonën e Zubin Potokut. Nuk ka lëndime apo dëme materiale dhe ne po punojmë për t’i vërtetuar të gjitha faktet”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Mediat serbe raportuan se rreth orës 19:45 ishin dëgjuar shkëmbime zjarri në Zubin Potok, dhe se të shtënat kanë ndodhur pasi Policia e Kosovës “ka dashur të heqë njërën nga barrikadat” në këtë komunë në veri të Kosovës. Policia e Kosovës ka demantuar këto raportime të mediave serbe se ka qenë e përfshirë në shkëmbim zjarri në Zubin Potok.
KFOR-i ka bërë thirrje që të gjitha palët e përfshira “t’i shmangin retorikën apo veprimet që mund të shkaktojnë tensione dhe mund ta përshkallëzojnë situatën”, ndërsa ka thënë se “mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë ta përmbushim mandatin tonë sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë”.
“Komandanti i misionit të KFOR-it vazhdon ta përkrahë dialogun për ta gjetur një marrëveshje për zbutjen e tensioneve në veri të Kosovës. Ai mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë të përfshirët në këtë proces”, thuhet më tutje në njoftimin e KFOR-it.
Situata e tensionuar në veri të Kosovës që nga muaji nëntor është përshkallëzuar pas arrestimit të ish-policit me kombësi serbe, Dejan Pantiq – i cili dyshohet për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Për të kundërshtuar arrestimin e tij, grupe të qytetarëve serbë në veri ngritën barrikada qysh më 10 dhjetor. Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.
Autoritetet në Kosovë thanë se kanë kapacitete për largimin e barrikadave të ngritura në veri, por se i kanë dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i largojë vetë ato./Rel
Top Channel