Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendosjes së Altin Dumanit në krye të SPAK, zgjedhja e të cilit u shoqërua me shumë polemika.
“Procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK foli vetë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë dhe të gjitha thashethemet e katundit politik e mediatik për kapjen e s’kapjen e SPAK-ut nga regjimi i mori era! Urime drejtuesit të ri dhe fjalën le ta marrë puna me rezultate konkrete”, shkruan Rama në një postim në Twitter.
Procesi për zgjedhjen e kreut të ri të prokurorisë së posaçme SPAK u shoqërua me tensione mes kreut të qeverisë Edi Rama dhe ambasadores së SHBA-së Yuri Kim. Kim kishte theksuar vazhdimisht se SHBA do ta vëzhgojë nga afër procesin e zgjedhjes të kreut të SPAK, ndërsa kryeministri Edi Rama ka përsëritur kërkesën që ndërkombëtarët të qëndrojnë larg këtij procesi.
SPAK së fundmi është në shënjestër të kritikave se ka anashkaluar fakte që inkriminojnë ish ministra, si në rastin e Arben Ahmetajn. Ndërkohë që kërkohet që goditja e korrupsionit të mos jetë selektive por e plotë.
Top Channel