Gazetarja Anila Hoxha e ftuar këtë mbrëmje në “Top Story” shpjegoi për opinionin publik si kanë avancuar hetimet për inceneratorët dhe çfarë nuk shkon sipas saj në këtë proces hetimor:

“Ajo që u tha zyrtarisht është se 10 persona përfunduan të pandehur në Gjykatën Anti Korrupsion. Këtë njoftoi SPAK duke treguar se ka veçuar çështjen për disa veprime të tjera hetimore duke thënë midis të tjerave në njoftimin zyrtar se do të shikonte dhe do të kontrollonte edhe të dhënat që dolën nga ekspertiza në kompjuterin e Klodian Zotos, që shqip do të thotë faturat e paguara për pushimet e ish-ministrit Arben Ahmetaj.

Por, në dosjen dhe fashikullin hetimor që ne patëm mundësi ta shikonim,  është e qartë se Arben Ahmetaj nuk përmendet në asnjë nga këto rreshta, përfshi dhe faktin e ekspertizës së kompjuterit të kontrolluar nga Policia Shkencore për llogari të hetimeve të SPAK.

Emrat që janë veçuar janë emra përgjegjësish dhe nëpunësish të thjeshtë. Gjithashtu ka dhe disa veprime hetimore ku nuk përmendet shtetasi Arben Ahmetaj”.

Në diskutimin në studio, avokati Spartak Ngjela thotë se kemi të bëjmë me një çështje penale të vështirë:

“Me ato që pashë unë, ka indicie për hetim. Duhet të kemi parasysh që si çështje penale është shumë e vështirë ta aprovosh. Në avokatinë e lartë ne themi se ka mbrojtje. Do të thotë që avokati ka hapësirë për ta mbrojtur. Por, nuk ma merr mendja që SPAK në këto momente të mos ketë interes për ta nisur si çështje penale, sepse është publike”.

Megjithatë, ndërhyn gazetarja Hoxha, fakt është që Arben Ahmetaj nuk është thirrur asnjëherë për t’u pyetur.

“Dhe po të ndjekim të gjithë precedentët e tjerë sa i takon hetimit të korrupsionit, ne i dimë që pragu i SPAK ndonjëherë është kthyer në formën e një parade ku mund të jenë thirrut dhe nëpunës të nivelit të ulët thjesht për të dhënë një deklaratë. Por jo vetëm kaq, nëse do të qëndrojmë në kushtet e flagrancës, ne dimë shumë mirë që Aldo Bumçi u thirr për një firmë”.

Top Channel