Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Lulzim Basha dhe shumica e deputetëve të opozitës po heshtin prej ditësh ndaj denoncimeve të mediave, sesi ish-ministri Arben Ahmetaj ka fjetur në hotele të paguara nga shtetasi në kërkim Klodian Zoto dhe sesi prokurorët e SPAK kanë fshehur provat dhe kanë devijuar hetimet.
I vetmi që ka folur për implikimin e Ahmetajt me faturat e hoteleve të Zotos, është Sali Berisha, por dhe ai është mjaftuar me vetëm një deklaratë për media. Pjesë e heshtjes janë dhe disa media të ashtëquajtuara opozitare, të cilat nuk kanë pasqyruar asnjë faturë të hoteleve të Ahmetajt.
Por, për çfarë i duhet opozita shqiptarëve, kur minimalisht nuk i shërben interesave të qytetarëve dhe ngre dyshime për pazare me segmente të qeverisë, sikurse është rasti i Ahmetajt. Denoncimet e fundit tregojnë qartazi për një skenar bashkëpunimi mes Arben Ahmetajt dhe Ilir Metës për denoncimin e çështjes së inceneratorëve. Heshtja e Metës, e bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe gjithë deputetëve të Partisë së Lirisë, është dukshëm një mesazh që Ahmetaj është njeriu i tyre. Madje, në deklaratat e Kryemadhit, thuhej se Ahmetaj ishte i papërlyer në çështjen e inceneratorëve:
“Zoti Ahmetaj refuzon përsëri, i kthen një shkresë për herë të tretë Ministrisë së Mjedisit, në datën 23 janar, me shkresën 13188/3. Ministria e Financave pasi ka shqyrtuar studimin e vizibilitetit, i kthen përgjigje Ministrisë së Mjedisit duke i evidentuar radhazi problematikat që kanë të bëjnë me këtë koncesion. Por, unë si Ministri Financash nuk mund të pranoj një kontratë të tillë, sepse ka disa shkelje flagrante”.
Kjo ngriti dyshime ne opinionin publik se dosja e inceneratorëve u gatua nga Ahmetaj dhe iu dorëzua LSI-së, me paktin që ai të shpëtonte pikërisht nga këto skandale që janë publikuar ditët e fundit. Pazari mes Ahmetajt dhe Metës iu vu vula kur në kallëzimin e LSI në SPAK për inceneratorët u vendos gjithë kupola e shtetit, por mbeti jashtë ish-ministri i Financave, personi kyç në çështjen e inceneratorëve. Pjesë e heshtjes është dhe Lulzim Basha, i cili ngriti një komision të posaçëm hetimor, por sot nuk ka bërë asnjë status për këtë çështje sensitive, përveç disa udhëtimeve personale qe ai ka kryer në Shtetet e Bashkuara.
Nuk dihet nëse dy prokurorët e SPAK, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi kanë qenë pjesë e këtij bashkëpunimi, por arrestimi i dy ish-zyrtarëve të LSI-së, Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos dhe një dyzine njerëzish të nivelit të dytë, dhe devijimin e hetimeve për Ahmetajn, ngre dyshime të forta se kjo ishte një loje politike e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Këto denoncime selektive dhe heshtja për skandale të mëdha si në rastin e Ahmetajt apo dhe te denoncimet e koncesioneve të rrugëve, flet qartë se opozita i shërben interesave personale.
Top Channel