Fansat e Marokut “pushtojnë” stadiumin, Katari bllokon ardhjen e mijëra të tjerëve

14/12/2022 21:01

Maroku po bën historinë në Kupën e Botës, pasi duke eliminuar fillimisht Spanjën e më pas Portugalinë, ia ka dalë të mbërrijë deri në fazën gjysmëfinale, aty ku mbrëmjen e sotme do të provojë të nxjerrë jashtë edhe Francën, për të sfiduar Argjentinën në finalen e madhe.

Entuziazmi në Marok është i jashtëzakonshëm dhe autoritetet bëjnë me dije se stadiumi “Al Bayt” do të ngjyroset në të kuqe, në më shumë se 70% të tij, pasi marokenët ia kanë dalë të sigurojnë pjesën më të madhe të biletave.

Ndërkohë, disa orë pas ndeshjes autoritetet e Katarit vendosën të anulojnë të paktën 20 fluturime nga Maroku, me destinacion vendin organizator të Kupës së Botës, duke u mohuar mijëra njerëzve kënaqësinë për të qenë në Al Khor këtë mbrëmje.

Shkak për këtë vendim të autoriteteve është bërë plani i masave për të ruajtur sigurinë në një sfidë që pritet të prodhojë luftë në fushë, e jo vetëm. Kjo pasi në Francë jetojnë një numër i konsiderueshëm marokenësh, të cilët po e presin këtë sfidë me një entuziazëm të jashtëzakonshëm dhe janë gati të pushtojnë sheshet kryesore të vendit, nëse Ziyech me shokë bëjnë një tjetër mrekulli.

Top Channel