Koha e gjysmëfinaleve/ Si mbërrijnë Kroacia, Franca, Argjentina dhe surpriza Marok

13/12/2022 09:54

Kupa e Botës në Katar është tashmë në momentin e saj më vendimtar teksa në lojë kanë mbetur katër kombëtare, të cilat mund të konsiderohen si më të mirat e turneut dhe në gjysmëfinale do të dhurojnë çdo “grimcë” të energjisë për të mbërritur në finalen e datës 18 dhjetor.

Nga njëra anë është Franca, kampione e Botës në fuqi. Të udhëhequr nga një talent si Kylian Mbappe (me pesë gola është aktualisht golashënuesi më i mirë në këtë Kupë Bote) e më pas nga eksperienca e Giroud, Griezmann, Varane dhe kapiteni Hugo Lloris, të besuarit e trajnerit Didier Deschamps synojnë të përsërisin pas plot 60-vitesh suksesin e dyfishtë të Brazilit që fitoi dy herë radhazi Kupën e Botës në vitet 1958 dhe 1962. Të gjitha kartat janë në rregull për francezët, sidomos pas eliminimit të një prej favoritëve kryesorë, Anglisë.

Megjithatë, vëmendja është tashmë te përballja me Marokun në gjysmëfinale ku nënvlerësimi mund të rezultojë fatal ndaj një kundërshtari tepër të përgatitur sidomos në aspektin fizik. Kombëtarja afrikane në fakt mund të konsiderohet pa frikë si surpriza më e madhe në Katar. Të udhëhequr nga trajneri Ëalid Regragui, marokenët deri më tani kanë mposhtur kombëtare si Belgjika (në fazën e grupeve) si dhe kanë eliminuar Spanjën e Portugalinë e Cristiano Ronaldos. Tashmë, skuadra e Marokut futet në fushë pa presion pasi qëllimin e tyre në Botëror e kanë arritur madje e kanë superuar duke qenë se për herë të parë mbërrijnë në gjysmëfinale, ashtu si për herë të parë një kombëtare afrikane diskuton gjysmëfinalet e Kupës së Botës. Ndaj, me moralin në anën e tyre, Franca është e paralajmëruar.

Në anën tjetër, Kroacia. Ballkanasit janë duke ndjekur rrugëtimin e tyre të fundit në Botëror, atë të Rusisë kur edhe pse nuk konsideroheshin favoritë ia dolën të mbërrinin në finale. Pak a shumë si tani, duke mos e çuar në mendje dorëzimin për asnjë minutë të ndeshjes (mentalitet për t’u pasur zili) dhe duke luajtur të gjithë krah njëri-tjetrit me liderin e padiskutueshëm Luka Modric e më pas lojtarët me eksperiencë si Brozovic, Kovacic, Lovren, Perisic pa lënë mënjanë talentin 20-vjeçar që këtë Botëror duket se konfirmoi të gjithë aftësitë e tij, Josko Gvardiol. Përballë është Argjentina e Lionel Messit dhe ballkanasve iu duhet të “shtrëngojnë edhe njëherë dhëmbët”.

Kombëtarja “Albiceleste”, vjen pas 120-minutave tejet të luftura me Holandën në çerekfinale, aty ku Messi me shokë u treguan më të saktë nga 11-metrat. Megjithatë, energjitë duhet të jenë të karikuara për numrin 10 të amerikano-latinëve që ndjek shansin e fundit për të fituar Kupën e Botës ndërsa deri më tani ka ditur të udhëheqë ekipin teksa ia ka dalë të shënojë katër gola dhe të regjistrojë edhe një asist. “Pleshtin” e ndajnë diçka më shumë se 180 minuta nga lavdia më e madhe në karrierën e tij, teksa trajneri Lionel Scaloni dhe të gjithë përkrah tij janë të vendosur për t’i shkuar deri në fund turneut.

Top Channel