Policia e Kosovës ka mbyllur rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Policia e ka konsideruar këtë vendim si masë paraprake të sigurisë, pasi serbët lokalë kanë bllokuar disa rrugë në veri, si shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç.

“Bazuar në vlerësimet policore, po ashtu si masë paraprake e sigurisë, përderisa ka disa bllokime edhe në rrugën në drejtim të Pikës Kufitare Bërnjak, Policia e Kosovës tani ka mbyllur përkohësisht për qarkullim edhe këtë pikë kufitare. Meqë tani dy Pikë Kalimet Kufitare në veri të vendit janë mbyllur për qarkullim si pasojë e barrikadave të vendosura, ftohen qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim.”

Autoritetet në Kosovë thanë se kanë arrestuar më 10 dhjetor ish-policin e Kosovës, Dejan Pantiç.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ish-polici serb ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Ai shtoi se Pantiç akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm ndaj rendit kushtetues.

Që nga 6 dhjetori janë shënuar disa incidente në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, në kohën kur autoritetet zgjedhore po vazhdonin punën e tyre për organizimin e zgjedhjeve lokale, që fillimisht ishin paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor.

Por, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se zgjedhjet janë shtyrë për prillin e vitit të ardhshëm.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – në nëntor njoftoi për dorëheqjen e zyrtarëve serbë nga niveli komunal e qendror, përfshirë nga Policia e Kosovës, gjyqësori dhe institucionet e tjera të Kosovës në veri.

Këto dorëheqje erdhën në shenjë kundërshtimi me vendimin e Qeverisë së Kosovës për rirregjistrimin e makinave që kanë targa ilegale serbe.

Lista Serbe po ashtu kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve për udhëheqësit e komunës së Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA