Një efektiv i Policisë së Kosovës është lënduar gjatë një sulmi të armatosur në veriun e Kosovës mbrëmjen e kaluar.
Në një njoftim të policisë së Kosovës thuhet se sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit.
Sipas policisë, njësitë që ishin në detyrë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit ‘Audi’, ngjyrë hiri, me targa KM. Si pasojë e incidentit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë”.
Hetuesit kanë dalë në vendngjarje për të kryer hetimet, ndërsa zyrtari policor i lënduar është transportuar në spital për t’i ofruar ndihmë mjekësore.
Sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës shtoi prezencën e saj në atë pjesë të Kosovës, ku ditëve të fundit janë shpeshtuar incidentet, por pa pasoja në njerëz.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se vendimi i policisë për të shtuar praninë e saj në veri, ka për qëllim sigurimin e qytetarëve.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se “Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit”, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë nënshkruar me ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2013. Ai shtoi se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.
Në katër komunat në veri; Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – pritet të mbahen zgjedhjet lokale më 18 dhjetor. Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kundërshton mbajtjen e tyre.
Top Channel