Maroku rezistoi 120 minuta ndaj Spanjës dhe e dërgoi takimin te penalltitë, nëpërmjet të cilave siguroi kualifikimin e parë në histori në çerekfinalet e një Botërori falë goditjeve të sakta dhe pritjeve të portierit Bono.

Sofyan Amrabat është shpirti i këtij Maroku. “Luftëtari” i mesfushës, sakrifikoi për të dhënë kontributin e tij në takimin ndaj skuadrës së Luis Enriques, duke u treguar fenomenal në duelet ndaj kundërshtarëve.

26-vjeçari i Fiorentinës, kishte probleme në shpinë dhe zbriti në fushë me injeksione. “Mbrëmjen përpara ndeshjes qëndrova zgjuar deri në orën 3:00 të mëngjesit bashkë me fizioterapistin tim, pasi po synonim të pamundurën.

Ndaj Spanjës luajta me injeksione, pasi nuk mund t’i lija vetëm shokët dhe vendin tim. Ndihem shumë i lumtur dhe krenar me kualifikimin”, deklaroi i përlotur titullari i “Luanëve të Atlasit”.

Sakrifica iu shpërblye dhe tani do të ketë disa ditë në dispozicion për t’u përgatitur për betejën e radhës, duelin ndaj Portugalisë (e shtunë, 16:00). Nëse Maroku eliminon luzitanët do të kthehej në Kombëtaren e parë afrikane që arrin në gjysmëfinalet e një Kupe Bote.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA