Reagon Luis Enrique pas humbjes me Marokun: Futbolli është i çuditshëm, tani dua vetëm një gjë

06/12/2022 20:46

Luis Enrique nuk e bën dramë eliminimin me Marokun në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës dhe madje gjen kohën për të komplimentuar kundërshtarët e për t’u uruar sukses në fazën çerekfinale.

Trajneri i Spanjës pranoi se skuadra e tij bëri gjithçka mirë, përveç finalizimit, teksa tha se kundërshtarët u shfaqën superiorë vetëm në një pikë, atë të lotarisë së penalltive, ku u treguan më të qetë.

“Ne jemi Spanja dhe duhet ta prezantojmë vendin tonë në të gjithë dimensionet, ndaj i urojmë suksese Marokut për kualifikimin në çerekfinale. Futbolli është një sport i mrekullueshëm, por pak i çuditshëm, pasi kundërshtari bëri më mirë se ne vetëm te lotaria e penalltive. Dominuam gjithë ndeshjen, por në fund e shohim veten jashtë. Tre gjuajtësit e parë i zgjodha unë, por Bono është një portier i madh dhe e tregoi edhe sonte. Keqardhje pasi bëmë shumë mirë, por duhet të presim një tjetër mundësi”, u shpreh Luis Enrique.

Nuk ka munguar as ngacmimi ndaj trajnerit katalan të Spanjës, në lidhje me të ardhmen e tij në stolin e “Furia Roja”-s, por vetë Luis Enrique shmangu gjithçka me diplomaci.

“Për momentin e vetmja gjë që dua, është të kthehem në shtëpi dhe të takoj familjarët e mi. Tani nuk është momenti, pasi duhet që si fillim të përtyp këtë eliminim. Më pas, javën e ardhshme do të ulemi të diskutojmë”, u shpreh trajneri i Spanjës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA