Sokol Halili, i cili ekzekutoi ish-gruan e tij shtatzënë dy ditë më parë para oborrit të maternitetit në Prishtinë ka vrarë veten.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla shkruan se pavarësisht tentativës së policëve që ai të dorëzohej, ai është vetëvrarë.
“Pas një pune intensive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten. Policia e Kosovës si dhe Inspektoriati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjitha rrethanave të vrasjes së gruas shtatzënë dhe vetëvrasjes së dorasit”, shkruan ministri i Punëve të Brendshme, Sveçla.
“Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë të ndodhur më datë 30 nëntor 2022, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë, Policia e Kosovës me njësitet e saj hetimore dhe operative, në koordinim me Prokurorinë e shtetit, ka punuar intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e personit të dyshuar.
Bazuar në hetimet intensive dhe veprimet operative-hetimore, sot më 02 dhjetor 2022, rreth orës 13:45 njësitet policore kanë arritur të lokalizojë vendndodhjen e të dyshuarit mashkull kosovar, Sokol Halili, viti i lindjes 1991, i cili gjendej në fshatin Davidovc të komunës së Shtimes. Policia e Kosovës me njësitet relevante, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore përfshirë masat e sigurisë në këtë lokacion, si dhe ka aplikuar masat e negocimit me personin e dyshuar për t’i mundësuar të njëjtit dorëzimin.
Përkundër të gjitha masave të ndërmarra dhe tentativës për negocim, nga njësitet dhe kompetentët policorë i njëjti nuk është dorëzuar dhe me armës zjarri ka kryer aktin e vetëvrasjes. Lidhur me rastin janë duke vazhduar veprimet e mëtejme nga njësitet relevante policore, përfshirë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, përderisa për procedura të mëtejme janë informuar Prokuroria dhe Inspektorati Policor i Kosovës”, sipas policisë.
Sipas informacioneve, ai është gjetur në Davidovc të Shtimes në shtëpinë e familjarëve të tij.
Vrasja e 35-vjeçares ndodhi vetëm një ditë para se Hamide Magashi të lindte fëmijën. Ata ishin martuar këtë vit, por ishin ndarë para katër muajsh pas konflikteve me njëri-tjetrin.
Motra e viktimës ka treguar jashtë kamerave se për gjashtë muaj, autori e ka mbajtur mbyllur viktimën, ndërsa ajo ishte në pritje të fëmijës së tyre të parë.
Mësohet se autoritet kanë qenë të njoftuar për rastin e abuzimit ndaj viktimës dhe se ajo kishte urdhër mbrojtje.
Kjo është vrasja e dytë e grave në një javë në Kosovë. Më 25 nëntor një burrë vrau gruan e tij në Prishtinë. Të dyja vrasjet ndodhën ndërsa në Kosovë po mbahet një fushatë 16 ditore kundër dhunës ndaj gruas me moton “As edhe një më shumë”.
Policia e Kosovës tha se nga janari i këtij viti e deri në muajin tetor, janë shënuar 2273 raste të dhunës në familje.
Top Channel