Pas një martese jo të shëndetshme me Sokol Halilin, Hamide Magashi zgjodhi të jetonte e vetme në Llugaxhi të Lipjanit, ku herë pas here e motra shkonte dhe kujdesej për të.
Edhe pse zgjodhi të jetonte e vetme dhe të lindte e të rriste vetë fëmijën e Halilit që mbante në bark, një gjë e tillë nuk u bë realitet, pasi fatin e jetës së 35-vjeçares e vendosi ish-bashkëshorti i saj, i cili i mori jetën mizorisht në mes të Prishtinës, sikur të mos mjaftonte abuzimi i muajve të fundit.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 18:00 ku Sokol Halili vrau gruan e tij shtatzënë Hamide Magashin 35 vjeçe, të cilën e la të vdekur para maternitetit në Prishtinë.
Mediat e Kosovës bëjnë me dije se çifti ishte martuar këtë vit, por pas problemeve të shumta mes njëri-tjetrit kishin shkuar drejt ndarjes. Sipas familjarëve të viktimës, kjo e fundit kishte gjashtë muaj që mbahej e mbyllur në shtëpi nga bashkëshorti, madje edhe autoritetet kanë qenë të njoftuar në lidhje me abuzimin dhe i kishin dhënë asaj urdhër mbrojtjeje.
Halili është ende në kërkim nga policia pasi u arratis pas momentit të krimit. Rastet e dhunës në familje në Kosovë janë rritur në vitet e fundit.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2020 në Kosovë janë evidentuar 2.069 raste të dhunës në familje; në vitin 2021 janë evidentuar 2.456 raste.
Kurse, gjatë periudhës janar-shtator 2022, janë regjistruar 2.067 raste të dhunës në familje.
Top Channel