Policia e Serbisë raportoi të shtunën se iu desh të merrte nën kujdes rreth 1,000 njerëz këtë javë pas të shtënave mes kontrabandistëve dhe emigrantëve pranë kufirit me Hungarinë.

Gjashtë vetë u plagosën në incidentin e së enjtes, tha zëvendësdrejtori i policisë Dragan Vasiljeviç në Beograd.

Në mesin e të përfshirëve ishin shtetas të Afganistanit dhe Marokut. U kapën pushkë, pistoleta dhe municione.

E ashtuquajtura rrugë ballkanike, përmes së cilës refugjatët dhe emigrantët përpiqen të arrijnë në Evropën Perëndimore, kalon përmes Serbisë dhe Hungarisë.

Sipas autoriteteve të ndryshme policore, këtë vit është dyfishuar shifra e migrantëve që e përdorin këtë rrugë në krahasim me vitin e kaluar.

Që nga viti 2015, Hungaria është përpjekur të parandalojë kalimet e parregullta kufitare me një gardh metalik në kufirin e saj me Serbinë.

Qindra emigrantë që përpiqen të kalojnë gardhin me ndihmën e kontrabandistëve janë stacionuar në rrënoja dhe tenda në fshatrat serbe përgjatë kufirit hungarez.

Shumë dështojnë dhe bëjnë përpjekje të reja.

Konfliktet mes migrantëve dhe kontrabandistëve ndodhin vazhdimisht. Një emigrant u vra në muajin korrik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA