Ndonëse policia nuk dha leje për protestën e njoftuar nga Sali Berisha më 6 dhjetor, ky i fundit e konsideron vendim nul, ndërsa thekson se asgjë nuk e ndal popullin opozitar të vërshojë në Bulevard më 6 dhjetor, ora 12:00.
Policia e shtetit ka vendosur të ndalojë që opozita të protestojë më 6 dhjetor në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, por Sali Berisha bëri të qartë se nuk njeh fjalën tërheqje duke sfiduar uniformat blu.
Sali Berisha: I rikujtoj vasalëve të Edi Ramës se Kushtetuta nuk njeh kufizime për protesta dhe liritë e qytetarëve. Ai refuzim është i paqenë, nul anvoid. Unë i them Edi Ramës hiq dore, s’ka forcë në botë që e ndalon popullin e opozitës për të protestuar dhe gjithë përgjegjësia do bjerë mbi ty.
Sali Berisha ka në plan të protestojë vetëm pak metra larg vendit ku liderët e vendeve të Bashkimit Europian do të takohen me krerët e Ballkanit Perëndimor.
Berisha: Do jetë protestë ku do të buçasë në të katër anët, thirrja e duam Shqipërinë si Europa, Edi Rama dhunues në Europë i votës së lirë pas Lukashenkos dhe Putin. Kemi kaq shume motive për të protestuar duke garantuar sigurinë e miqve tanë.
Me argumentin se tubimi i opozitës pengon zhvillimin normal të Samitit pasi përbën kërcenim për sigurinë kombëtare, policia e shtetit refuzoi kërkesën e demokratëve për të protestuar në bulevardin Dëshmoret e Kombit dhe i sugjeroi Sali Berishës zhvendosej jashtë perimetrit të sigurisë.
Edhe demokratët në rrjetet sociale kishin të njëjtin sugjerim, por Sali Berisha la të kuptohet se nuk ndërmend të ndryshojë plan.
Top Channel