Pas kryeministrit Edi Rama opozita akuzoi për korrupsion, me portin e Durrësit, zëvendës kryeministren Belinda Balluku e cila udhëhoqi grupin e punës ndër-ministror në negocimin e kontratës me kompaninë Emaar nga Dubai.
Akuzave të opozitës se Belinda Ballku është pjesë e tjetërsimit të kësaj pasurie publike kombëtare, zëvendës-kryeministria u tha se kontrata është publike dhe pa nene të fshehura.
“Kjo është kontrata më e mirë që shteti shqiptarë ka bërë deri më sot duke mos përjashtuar kohën tonë dhe as kohën tuaj. Kjo është një kontratë e punuar për 12 muaj në një negocim të hapur.”- tha Belinda Balluku.
Me gjuhën e shifrave Enkelejd Alibeaj i tregoi Belinda Ballukut dëmet ekonomike të kësaj kontrate, negociuar prej saj.
“400 milion euro ne ia falim për shkak të truallit, 160 milion ne ia falim për shkak të taksave, 60 milion ne ia falim përsëri për shkak se nuk marrim ne ndërtimin që shkon për banesa sociale plus edhe 390 milion të tjera dhe në këmbim çfarë marrim nëse ndodh 280 milion euro.”- tha Enkelejd Alibeaj
“Si unë si kolegia ime e njohim shumë mirë kontratën kemi punuar me të dhe dimë se ku firmosim dhe mos na e qani hallin. Ju shikoni dhe qani hallin e qytetarëve se jeni duke penguar me aq sa mundeni me baltë se me gjë tjetër nuk pengoni ju një nga projektet më të rëndësishme në republikën e Shqipërisë.”- tha Belinda Balluku.
“Unë nuk jam racist as me ata me gamile as me ata me qilim jam racist për ata që vjedhin dhe kjo është ajo ç’po ndodh këtu.”- tha Alibeaj.
Debatin me zëvendës kryeministren nga një këndvështrim tjetër e vijoi demokrati Edmond Spaho.
“Një i afërmi juaj ka pas një histori shumë tragjike sepse zbatonte qorrazi porositë e Enverit për të vrarë e prerë. Mos zbato qorrazi porositë e Edit edhe ti edhe ministria e financave.”- tha Spaho.
Top Channel