Eurovision Song Contest ka njoftuar ndryshime të mëdha në procesin e votimit në konkursin e vitit të ardhshëm.

Juritë profesionale janë hequr nga gjysmëfinalet, që do të thotë se vetëm shikuesit ose publiku do të zgjedhin se kush kualifikohet për finalen e madhe, ndërsa në finale e kanë të dyja palët të drejtën. Po ashtu vendet që nuk konkurojnë në garë do të lejohen gjithashtu të votojnë për herë të parë.

Këto ndryshime vijnë  pasi u zbulua se gjashtë juri shkëmbyen vota në konkursin e këtij viti në Torino, Itali. Modele të parregullta votimi u zbuluan nga Azerbajxhani, Gjeorgjia, Mali i Zi, Polonia, Rumania dhe San Marino, tha EBU, e cila organizon konkursin.

Këto vota të jurisë u zbritën dhe u zëvendësuan me një rezultat të përgjithshëm, të llogaritur nga rezultatet e vendeve të tjera me të dhëna të ngjashme votimi. Në fund, konkursi u fitua nga Orkestra Kalush e Ukrainës, me Sam Ryder të Mbretërisë së Bashkuar që zuri vendin e dytë.

Juritë profesionale, të cilat përbëhen nga kompozitorë profesionistë dhe figura të industrisë muzikore, kanë ekzistuar të paktën që nga konkursi i dytë i këngës në Eurovizion në 1957 (sistemi i votimit për konkursin e parë nuk është zbuluar kurrë).

“Lejimi i vendeve jo-pjesëmarrëse për të votuar do të pasqyrojë ndikimin global të ngjarjes. Të gjithë ata që ndjekin shfaqjen, kudo që jetojnë në botë, mund të japin votën për këngët e tyre të preferuara “, tha Martin Österdahl, mbikëqyrësi ekzekutiv i konkursit.

Votat online do të shtohen së bashku dhe do të konvertohen në pikë që do të kenë të njëjtën peshë si një vend pjesëmarrës në të dyja gjysmëfinalet dhe finalen e madhe.

Tridhjetë e shtatë vende do të marrin pjesë në konkursin e vitit të ardhshëm, ku Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut tërhiqen për shkak të kostos së pjesëmarrjes.

Rusia u përjashtua nga ngjarja e këtij viti pas pushtimit të Ukrainës. Pritet që të përjashtohet edhe për vitin e ardhshëm.

Top Channel