Situata nga moti i keq, Ministria e Mbrojtjes: Rreth 2 mijë hektarë tokë e përmbytur, po punohet për lirimin e akseve rrugore

22/11/2022 13:04

Një situatë e përmirësuar paraqitet gjatë orëve të fundit në vend, pas përmbytjes së tokave dhe banesave ditën e djeshme në disa qarqe.

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, reshjet e shiut kanë vazhduar me intensitet të ulët gjatë natës dhe të lokalizuara.

Ministria Mbrojtjes njofton se ka rënë ndjeshëm sipërfaqja e tokës e mbuluar nga uji në qarkun e Shkodrës. Sot janë 1685 hektarë tokë nën ujë dhe vazhdon tërheqja, nga 4346 ha që ishte dje në darkë.

Aktualisht janë vetëm 26 familje me 99 anëtarë të evakuuar, nga 52 familje dhe rreth 318 banorë që ishin dje. Të tjerët janë kthyer në banesat e tyre. Në Bashkinë e Lezhës ka pasur gjithashtu përmirësim: Ka prani uji vetëm në 4 banesa nga 24 që ishin dje dhe janë 1300 hektarë sipërfaqe e përmbytur. Përgjithësisht rrugët në rajonin e veriut të vendit janë të kalueshme, veç pak segmenteve.
Janë pastruar dhe ka qarkullim normal në segmentet që lidhin Tropojën, në aksin Hani i Hotit-Tamarë-Vermosh dhe Bogë- Theth.
Në akset Kukës – Krumë, Kukës – Ura Zapodit, në aksin Kukës – Bushtricë. Po punohet dhe shumë shpejt do të jenë të lira edhe disa akse si: Lezhë- Vau i Dejës, Qafa e Malit-Fierzë, Ura e Matit – Lezhë.
Nuk ka pasur probleme sa i përket lëvizjes në akset e rrugëve në rajonin qendror dhe jugor të vendit. Janë të lira akset rrugore nacionale dhe turistike
Njëkohësisht po bëhet një kontroll i urave pas situatës së krijuar nga shirat.

Niveli i lumenjve Drin (5.9 nga 7.5), Buna (7.6 nga 8.7) është aktualisht poshtë nivelit kritik.
Në Hidrovoret Droje, Shllinze, Tale, Ishull Shengjin, Gryke Zeze, Gocaj, Balldre nivelet e ujit janë nën kuotat kritike.
Në të gjithë pjesën tjetër të vendit, në Bashkitë Durrës, Kukës, Dibër situata paraqitet normale.Të gjitha bashkitë kanë patur dhe kanë në dispozicion fondin e emergjencave prej 10 mln euro thotë Ministria e Mbrojtes, i ndarë në proporcion me buxhetet e bashkive.

“Fond i cili është parashikuar edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Sipas VKM 414 ky buxhet mund të përdoret për: Shërbime të ndërhyrjes së menjëhershme në shpëtimin e jetës së shtetasve, pronës private e publike. Akordimin e ndihmës financiare për familjet, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga përmbytjet, në aspektin ndërtimor dhe orendi shtëpiake. Marrjen e masave rehabilituese në objektet infrastrukturore që përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e njerëzve, pronat e tyre dhe mjedisin, të cilat ndikojnë në rikthimin e jetës normale për komunitetin e veprimtaritë e tij ekonomike. Shpenzime të kryera për blerje karburanti dhe pjesë ndërrimi për automjete dhe makineri, të cilat përdoren për përballimin e situatave emergjente. Mbulimin e shpenzimeve të tjera operative të kryera gjatë përballimit të ngjarjeve dhe situatave të emergjencës civile; Blerje materialesh të ndryshme, që i shërbejnë veprimtarisë së strukturave të emergjencës civile në nivel vendor.
Mbajtjen në gatishmëri të infrastrukturës së ujitjes, të kullimit, të mbrojtjes nga përmbytja dhe digat e rezervuarëve në administrim të tyre

Ashtu siç kemi bërë gjatë këtyre tri ditëve, Forcat e Armatosura, ato Zjarrfikëse, Forcat e Policisë së Shtetit, ekipet e shërbimit mjekësor do të vijojnë të jenë në gatishmëri për të qenë pranë qytetarëve për çdo nevojë.
Përsërisim thirrjen drejtuar të gjithë banorëve të zonave të rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre edhe në orët në vijim, pasi sipas parashikimit të motit pritet një tjetër sasi e konsiderueshme reshjesh. Ju lutemi në çdo rast nevoje njoftoni pa vonesë autoritetet vendore”- njofton Ministria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA