Rasti i vajzës fatkeqe që rrëfeu dramën e jetës në Inside Story nuk është një histori e shkëputur. Aktivisti Altin Hazizaj nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri tregon se organizata që ai drejton ka trajtuar të paktën 3 raste të ngjashme nga shtëpitë e fëmijës.

“Dhuna seksuale ka ndodhur në institucion, bëhet fjalë gjithmonë për fëmijë vajza. Institucioni duhej të ishte përgatitur për të parandaluar raste të tilla. Ajo që shohim pas ngjarjes është mungesa e përgjegjësisë institucionale. Që është karakteristikë e pothuajse të gjitha rasteve seksuale. Institucionet nuk janë të përgatitura për tu përballur me dhunën seksuale ndaj fëmijëve. Të trija rastet kanë qenë nga adoleshentët, por të pakërkuara nga fëmijët vajza. Duhet të ketë monitorim. Siç ka pasur edhe raste që ka ardhur nga të jashtëm. Kemi parë raste të paimagjinueshme abuzimi me fëmijët që vijnë nga institucionet rezidenciale”, u shpreh,Altin Azizaj, Drejtor i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve.

Të dhënat më të fundit të raportit të Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve tregojnë se në Shqipëri, 1 në 10 fëmijë abuzohet seksualisht. Dhuna shtrihet edhe në format e tjera të saj, duke përfshirë dhunën psikologjike, fizike, emocionale dhe neglizhimin.

Abuzimi seksual ndaj fëmijëve, shpesh ndodh nga persona të cilët konsiderohen të afërt dhe njihen me viktimën. Grabitqari seksual, në të shumtën e rasteve është pjesë e familjes, një prind, bashkëjetuesi i një prindi, vëlla apo i afërm, një komshi apo një i njohur dhe i konsideruar si një mik i familjes, ose jashtë shtëpisë një bashkëmoshatar, mësues, person kujdesi dhe i panjohur.

Gjetjet kryesore të raportit tregojnë se numri më i madh i krimeve seksuale ndaj fëmijëve janë kryer nga bashkëmoshatarët e tyre me 32% të rasteve. Statistikat i korrespondojnë moshës së dhunuesve nga 14-24 vjeç. 41% e abuzuesve e kanë kryer krimin e dhunës seksuale në grup me mbi 4 persona. Mosha 10-14 vjeç është më e prekura nga krimet seksuale me 44% të rasteve të raportuara, e ndjekur nga mosha 15-18 vjeç me 36% të tyre.

55% e fëmijëve që i kanë mbijetuar dhunës seksuale jetojnë në kushte tepër të vështira ekonomike dhe rreth 42% e tyre jetojnë në banesa të papërshtatshme për jetesë. Jugu i Shqipërisë renditet në vendin e parë përsa i përket raportimit të rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve me 50% të rasteve të raportuara, e ndjekur nga Shqipëria e Mesme me 42% të rasteve të maranë studim, ndërsa Veriu i vendit me 8% të tyre.

Policia e Shtetit renditet në vendin e parë, për mbulimin që ajo i ka bërë shërbimeve që marrin fëmijët që i kanë mbijetuar dhunës seksuale, të ndjekur nga shërbimet sociale dhe ato mjekësore e shëndetësore. Sistemi i drejtësia vijon të ketë mangësi serioze në qasjen miqësore dhe kujdesin ndaj fëmijëve.

Top Channel