Presidenti i SHBA Joe Biden do të takohet personalisht me liderin kinez Xi Jinping të hënën për herë të parë që nga marrja e detyrës, me shqetësimet e SHBA për Tajvanin, luftën e Rusisë në Ukrainë dhe ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut në krye të agjendës së tij.
Takimi i shumëpritur vjen pasi marrëdhëniet mes superfuqive kanë rënë në nivelin më të ulët në dekada. Të dy do të takohen në ishullin indonezian të Balit përpara samitit vjetor të Grupit (G20) që mbledh liderët e ekonomive kryesore të zhvilluara dhe në zhvillim të botës.
Biden shkon në takim pas një fitoreje të madhe të brendshme me demokratët që kanë marrë kontrollin e Senatit, ndërsa Xi siguroi një mandat të tretë të paprecedentë në detyrë muajin e kaluar. Presidenti i SHBA, shpreson të bëjë një hap para për marrëdhëniet me Kinën dhe të rregullojë konkurrencën midis dy kombeve.
Biden kohët e fundit është shprehu se nuk ishte i gatshëm të bënte ndonjë lëshim thelbësor kur të takohej me Xi dhe se ai donte që të dy liderët të vendosnin “vijat e tyre të kuqe” dhe të zgjidhnin zonat e konfliktit.
Takimi nuk ka gjasa të prodhojë rezultate konkrete dhe nuk pritet asnjë deklaratë e përbashkët, ka thënë Shtëpia e Bardhë, por mund të ndihmojë në stabilizimin e një marrëdhënieje të shënuar nga tensionet në rritje. Biden dhe Xi, të cilët kanë mbajtur pesë thirrje telefonike ose video që kur Biden u bë president në janar 2021, u takuan për herë të fundit personalisht gjatë administratës së Obamës.
Top Channel