Barcelona e interesuar, trajneri spanjoll sqaron të ardhmen

03/11/2022 12:47

Mikel Arteta është lakuar së fundmi si pasuesi i Xavi Hernandez te Barcelona. Ky i fundit nuk po kalon një periudhë të qetë në drejtimin e blaugranave teksa eliminimi nga grupet e Champions League konsiderohet një dështim i madh dhe ka “trazuar ujërat” në klub.

Ndaj, së fundmi qarkullojnë zëra se tekniku mund të shkarkohej, nëse nga skuadra nuk do të ketë një reagim dhe do të vijojë me rezultatet negative.

I preferuari i drejtuesve të Barçës është Mikel Arteta që po zhvillon një sezon fantastik me Arsenalin në Premier League, por edhe në Europë. Gjithsesi, këto zëra mendon t’i “shuajë” vetë trajneri spanjoll që thekson se duhet pasur më shumë respekt për një si Xavi Hernandez.

“Mendoj se Barcelona është në rrugën e duhur, kanë një trajner fenomenal në krye. Xavi është legjendë e padiskutueshme e klubit dhe shprehem i sigurt kur them se duhet pasur më shumë respekt për një figurë si Xavi”, theksoi Arteta.

Këtë fundjavë, Arsenal dhe Arteta do të kërkojnë të ruajnë trendin pozitiv të rezultateve teksa sfidojnë në Stamford Bridge, Chelsea-n e Armando Brojës.

Top Channel