Skuadra spanjolle në krizë/ “Rokadë” trajnerësh, i beson stolin një portugezi

02/11/2022 19:22

Celta Vigo e ka nisur shumë keq këtë sezon në La Liga. Skuadra galiciane renditet në vendin e 16-të me 11 pikë të grumbulluara në 12 javë kampionat.

Humbja e fundit në fushën e Almerias (2-1) ka rezultuar fatale për Eduardo Coudet.

Drejtuesit e klubit kanë shkarkuar 48-vjeçarin argjentinas, i cili qëndronte në stolin e Celta Vigo-s prej 12 nëntorit të vitit 2020, duke e drejtuar ekipin në 84 ndeshje. Vendin e tij në pankinë e ka zënë një trajner portugez.

I përzgjedhur i Celtas është Carlos Carvalhal. 56-vjeçari nga Braga ka një eksperiencë të madhe, pasi ka punuar në vendlindje, Turqi, Angli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Carvalhal ka firmosur deri në vitin 2024 me klubin iberik, ndërkohë që do të debutojë tek ekipi i ri në përballjen e fundjavës përballë Osasunës, sfidë që do të luhet në “Estadio de Balaidos”.

Top Channel