Ukraina sot pretendoi se arriti të rrëzonte 44 nga rreth 50 raketa që u lëshuan nga Rusia në këtë fillim jave.

Kryeministri i vendit Denys Shmyhal deklaroi se raketat dhe dronët rusë goditën 10 rajone të Ukrainës, duke dëmtuar 18 objekte, shumica e të cilave objekte energjetike.

Sulmet intensive kanë goditur infrastrukturën kryesore në Kiev, Kharkiv dhe qytete të tjera, duke ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike këtë mëngjes.

Në një deklaratë të bërë ministria ruse e mbrojtjes tha se forcat e saj kryen “sulme me armë me precizion të lartë ajror dhe me bazë detare me rreze të gjatë veprimi kundër komandës ushtarake dhe sistemeve energjetike të Ukrainës”.

“Të gjitha objektivat e përcaktuara u goditën“, deklaroi ministria.

Prej disa javësh Ukraina po përballet me sulme intensive, të cilat kanë shkatërruar sistemet energjitike.

Sipas autoriteteve vendase dëmi është i konsiderueshëm dhe se ka sjellë pasoja të shumta tek qytetarët.

Në disfavor të gjendjes kanë qenë edhe temperaturat, të cilat janë ulur ndjeshëm në prag të dimrit, ndërsa ndërtesat kanë mungesë ngrohjeje.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA