Zero gola dhe asiste! Tite heq dorë nga “ish”-i i Barçës, një 33-vjeçar në Botëror

26/10/2022 17:56

Philippe Coutinho numëron zero gola dhe zero asiste në 12 ndeshjet e këtij sezoni me Aston Villas.

Fantazisti brazilian, është pjesë e ekipit nga Birmingemi prej muajit janar, ndërkohë që në merkaton e verës drejtuesit e klubit anglez paguan 20 milionë euro te Barcelona për kartonin e tij.

Rendimenti i 30-vjeçarit ka qenë i dobët në këtë sezon, diçka që pritet t’i kushtojë mungesën në Botërorin Katar 2022, që do të zhvillohet në periudhën 20 nëntor-18 dhjetor. Trajneri i pesë herë kampionëve të botës, Tite ka vendosur të mos e grumbullojë Coutinhon në Katar.

Shtypi brazilian shkruan se trajneri do të ftojë në vend të ish-lojtarit të Interit, Liverpoolit dhe Barcelonës, Everton Ribeiron, i cili po paraqitet shumë mirë me Flamengon, ekip që të shtunën e 29 tetorit do të luajë finalen e Kupës Libertadores përballë Athletico Paranaenses së Scolarit.

Pavarësisht 33 viteve mbi supe, Everton Ribeiro, i cili numëron 22 ndeshje dhe tre gola me kombëtaren seleçao, ndodhet në formë të shkëlqyer dhe gjatë këtij sezoni numëron 7 gola dhe 9 asiste, duke qenë një nga lojtarët më të dalluar të ekipit nga Rio De Janeiro./ Super Sport

Top Channel