Sot luajmë me Arabinë Saudite/ Reja ka grumbulluar shumë lojtarë nga superiorja

26/10/2022 15:36

Përfaqësuesja shqiptare sot zhvillon ndeshjen miqësore përballë Arabisë Saudite në Abu Dhabi, një ndeshje miqësore me interesa të ndryshme për skuadrat.

Trajneri Edi Reja ka në dispozicion një skuadër B me lojtarë kryesisht nga kategoria Superiore për të parë edhe një herë listën e lojtarëve që mund të jenë pjesë edhe e Kombëtares A në të ardhmen, ndërkohë ekipi përfaqësues i Arabisë është finalist i Botërorit të Katarit e si rrjedhojë ky është test për ta pak javë përpara fillimit të aktivitetit më të madh futbollistik në botë.

Duke qenë se kjo ndeshje është kërkuar nga skuadra pritëse ata kanë kërkuar që ky takim të mos xhirohet e transmetohet nga asnjë media dhe nuk do të ketë as tifozë për këtë takim.

Gjithësesi kquezinjtë kanë zhvilluar një seancë stërvitore mbrëmjen e djeshme në Abu Dhabi ku trajneri Reja ka provuar lojtarët e rinj në skemën e tij të zakonshme 3-5-2. Sa i përket një formacioni të mundshëm kuqezinjtë që pritet të aktivizohen janë; Në portë do të jetë Elhan Kastrati, që aktivizohet me Cittadellan në Itali, më pas në mbrojtje prite ttë jenë Erdenis Gurishta i Vllaznisë, Eneo Bitri i Partizanit dhe Rudolf Turkaj i Laçit. Në krah Albion Marku i Vllaznisë dhe Andi Hadroj i Partizanit.

Ndërkohë, në qendër të mesfushës llogariten Arbnor Muçolli i Vejle, Ardit Deliu i Tiranës dhe Esat Mala i Vllaznisë. Ndërkaq, dyshja e sulmit pritet t’i besohet eksperiencës së Sokol Cikalleshit, që tani luan për skuadrën saudite të Al-Khaleej dhe Redon Xhixhës së Tiranës.

Top Channel