Një foto me Osimhen i kushtoi vendin e punës, sulmuesi i jep premtimin e madh djaloshit

26/10/2022 12:00

Një foto me idhullin e fëmijërisë ka një vlerë të jashtëzakonshme për këdo, madje shumë janë të aftë të rrezikojnë vetëm për të fiksuar një moment të paharrueshëm nëpërmjet aparatit fotografik.

Kështu ka ndodhur edhe me djaloshin 18-vjeçar, Matteo Lo Cicero i cili pati fatin të takonte nga afër idhullin e tij, Victor Osimhen.

18-vjeçari ishte në rolin e stewardit në stadiumin Olimpico, në ndeshjen mes Romës dhe Napolit e përfunduar me rezultatin 0-1. Sfida u vendos pikërisht nga sulmuesi Victor Osimhen me Matteon që pas ndeshjes priti gjatë për një foto me nigerianin. Por, ajo foto i kushtoi shumë pasi djaloshin e pezulluan ndërsa e njoftuan se ai nuk mund të jetë më stewart dhe një punë të tillë nuk mund ta bëjë në ndeshjet e Romës në Olimpico.

Gjithsesi, Osimhen që ishte dëshmitar i skenës në momentin kur djaloshin e pezulluan u mundua ta mbronte 18-vjeçarin duke theksuar se ai ishte shoku i tij. Megjithatë, në momentin kur fjalët e sulmuesit nuk u morën parasysh, Osimhen i premtoi djaloshit se ai do t’i gjente atij një punë. Një gjest i madh nga ana e lojtarit të Napolit, që nxitoi menjëherë të marrë në mbrojtje 18-vjeçarin dhe t’i garantojë të ardhurat.

Top Channel