Eksperti britanik për Rusinë, Mark Galeotti, është i bindur se Moska do të përpiqet të shfrytëzojë tensionet në Ballkanin perëndimor duke përfituar nga mungesa e vëmendjes së Perëndimit ndaj rajonit.
“Ajo që nuk duhet të nënvlerësojmë është niveli në të cilin Ballkani Perëndimor shihet, të paktën nga rusët, si një tjetër krah i mundshëm në konfliktin e tij me Perëndimin, me Europën dhe NATO-n. Shumë nga problemet e pazgjidhura të rajonit janë ato që rusët munden e pothuajse me siguri do t’i shfrytëzojnë. Një nga ngërcet kryesore është se prej kaq shumë kohësh, BE-ja dhe NATO-ja kanë qenë mjaft të vetëkënaqura për rajonin, duke bërë premtime por duhet treguar pak veprim. Unë mendoj se kjo krijon të gjitha llojet e mundësive që rusët të shfrytëzojnë situatën“- shprehet Mark Galeotti për BIRN.
Eksperti shtoi se qasja, prej dekadash tashmë e Brukselit ndaj regjimeve autokratike dhe gjysmë-demokratike në rajon ka dështuar. Toleranca ndaj regjimeve jodemokratike, por “të qëndrueshme”, e njohur si “stabilitokraci”, sipas tij, është bërë shumë e fuqishme në mesin e vendimmarrësve të Bashkimit Europian.
“ Ballkani Perëndimor është disi problematik, ne nuk kemi një përgjigje të lehtë për të, nuk duam të shpenzojmë shumë përpjekje dhe burime për të, kështu që ajo që ne do të bëjmë është të mbështesim regjimin që i mban gjërat të qëndrueshme. Ata do të pretendojnë se janë demokratë, ne do të bëjmë sikur i besojmë.
E dijë se çfarë ndodh, por të paktën do të kemi stabilitet dhe nuk kemi nevojë të shqetësohemi për Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Galeotti duke përcjellë kështu mendësinë që ka ekzistuar sipas tij në Bruksel, edhe pse më tej shton se ka shenja që kjo qasje ka nisur të ndryshojë, sepse po kuptohet që kjo nuk është një zgjidhje afatgjatë dhe me të, problemet nën sipërfaqes, thjesht vazhdojnë të akumulohen.
Top Channel