Dalin në pah sekretet/ Mbappe firmosi kontratën e shekullit, kaloi edhe Messin e vitit 2017

24/10/2022 09:47

Kontrata e firmosur nga Kylian Mbappe në muajin maj, ajo e cila e bindi sulmuesin të qëndronte në Paris dhe të refuzonte Real Madrid, mund të cilësohet pa frikë si kontrata e shekullit.

Prestigjiozja Le Parisien zbulon detaje nga marrëveshja e francezit me PSG ndërsa nëse i hedhim një sy shifrave, ato janë superiore edhe nga kontrata që firmosi Lionel Messi në vitin 2017 me Barcelonën.

Kështu, nëse Mbappe reziston dhe përmbush marrëveshjen për të qëndruar në Paris për tre sezone, atëherë në xhepat e tij do të shkojnë direkt 630 milionë euro bruto. Paga e tij prej 72 milionë euro  bruto në sezon, apo e thënë ndryshe gjashtë milionë euro bruto në muaj, është padyshim kontrata më e rëndësishme që një futbollist ka firmosur ndonjëherë. Deri para Mbappe, ai që kryesonte ishte Lionel Messi me rinovimin e tij tek Barcelona në vitin 2017. Në atë kohë, argjentinasi gjeti një marrëveshje për të rinovuar për katër vite nga e cila përfitoi plot 555 milionë euro bruto.

Por, përfitimet e Mbappe nuk mbyllen me kaq, pasi para rinovimit të kontratës, PSG i dhuroi një bonus prej 180 milionë euro ndërkohë edhe pse në kontratë nuk ka një bonus që lidhet me performancën sportive, është parashikuar një tjetër bonus që lidhet me besnikërinë dhe që rritet në momentin që Mbappe vijon të qëndrojë në skuadrën kryeqytetase. Kështu, nëse Mbappe nuk largohet verën e ardhshme nga PSG, atëherë do të përfitonte 70 milionë euro, më pas kjo shumë me kalimin e merkatove rritet në 80 dhe në fund 90 milionë euro.

Ndërkaq me taksat e shtetit francez në mes, shumat mbresëlënëse që përfiton Mbappe kanë një zbritje prej 45% për kontributet sociale dhe taksat mbi përfitimin. Për ta sqaruar edhe më mirë, nga 630 milionë euro që do të fitonte lojtari nëse përmbush tre vite kontratë, në neto do të mbesin në 210 milionë, që do të përbënin një të katërtën e buxhetit të PSG-së. Mbappe, edhe pse i mohoi këto informacione javën e kaluar, dëshiron të largohet sa më shpejt nga Parisi pasi është i pakënaqur me premtimet që Al-Khelaifi nuk i ka mbajtur në lidhje me ndryshimet në skuadër.

Top Channel