Southampton frenon Arsenalin/ Shënon Xhaka, por “topçinjtë” marrin vetëm 1 pikë

23/10/2022 20:43

Southampton frenon Arsenalin teksa i merr barazimin 1-1, i pari në këtë sezon për skuadrën londineze që tani është  vetëm 2 pikë përpara Manchester City me të cilin ka edhe ndeshjen që nuk mundi të luajë këtë mesjavë pasi ishte e impenjuar me sfidën e prapambetur ndaj PSV Eindhoven në Europa League.

Arsenali e nisi vrullshëm ndeshjen dhe në minutën e 11 mori avantazhin në rezultat me GraniXhakën që kishte shënuar edhe ndaj PSV Eindhoven.

Southampton kërkoi të reagojë dhe fitoi një sërë goditjesh dënimi, por rastet më të mira i pati Arsenali me Gabriel Jesus, Martinellin, por shansin ideal për dyfishimin e rezultatit e pati pikërisht Gabriel Jesus që u ndal nga Bazuni. Skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes me avantazhin 1-0 për Arsenalin.

Në pjesën e dytë, Arsenali shpërdoroi një tjetër rast me Gabriel Jesus, por po nuk shënove do të pësosh, një rregull i pashkruar ky që u aplikua nga Southampton që në mënyrë krejt të papritur barazoi rezultatin në 1-1 me Stuart Armstrong.

Por Arsenali e dëshironte fitoren e kësaj sfide dhe në fakt e gjeti golin e dytë me Odegaard pas një pasimi të Tierney, gol që u anulua pasi topi i dërguar në zonë nga Tierney kishte kaluar vijën fundore të fushës.

Topçinjtë i vijuan përpjekjet e tyre në kërkim të fitores, por në fund rezultati mbeti 1-1 me arsenalin që gjithsesi mbetet në krye të klasifikimit, por duke ndjerë hijen e Manchester City.

Top Channel