Basti i Nagelsmann: Sot i trishtuar, nesër një nga më të mirët në botë

21/10/2022 09:39

Ryan Gravenberch cilësohet si një nga mesfushorët më të talentuar të futbollit holandez. 20-vjeçari u ble nga Bayern Munchen në merkaton e verës për 18.5 milionë euro, por kalimi nga Ajaxi te kampionët e Gjermanisë është një hap i madh dhe lojtari me origjinë nga Surinami duhet të tregohet i duruar për të pritur momentin e tij.

Julian Nagelsmann nuk i ka dhuruar shumë minuta deri në këtë fazë të sezonit, Gravenerch numëron 114 minuta aktivizim gjatë gjashtë ndeshjeve që ka luajtur në Bundesliga – pothuajse të gjitha si zëvendësues – 134 në Champions dhe 103 mes Kupës dhe Superkupës së Gjermanisë.

Trajneri e di mirë se lojtari është i pakënaqur, por ai dhe Bayerni besojnë shumë te potenciali dhe kualiteti i Gravenberch, i cili në të ardhmen pritet të kthehet një nga liderët e mesfushës së Bayernit dhe kombëtares holandeze, fanellën e së cilës e ka veshur 11 herë (1 gol).

“Gravenberch është padyshim i trishtuar që nuk luan shumë, por nuk është i zemëruar. Së shpejti do të bëhet një nga më të mirët në botë”, deklaroi Nagelsmann gjatë konferencën për shtypin përpara transfertës ndaj Hoffenheim, duke karikuar në maksimum lojtarin e tij.

Top Channel